E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia: Banda e Altin Dardhës më grabiti makinën



“Banda e Altin Dardhës më ka grabitur automjetin, por nuk ka vrarë”. Ky ka qenë deklarimi i bërë dje para gjykatës nga dëshmitari i thirrur nga akuza, Riza Qosja, të cilit dy seanca më parë i ra të fikët dhe nuk dëshmoi dot. “Në datën 25 shkurt të vitit 1998 kam qenë me gruan dhe me dy miq në një lokal në lagjen “Uznovë”. Kisha harruar në makinë cigaret dhe dola për t’i marrë. Në ato momente pashë një automjet tip fugoni me xhamin e parë të thyer, ku ulur në vendin e parë ishte Altin Dardha, ndërsa shoferin nuk e njihja”, - ka nisur rrëfimin dëshmitari, duke shtuar se Altin Dardha kishte kujtuar se automjeti ishte i një armikut të tij, prandaj kishte dalë për ta qëlluar. “Iu prezantova Altinit si një miku i babait të tij. Ai zbriti nga makina bashkë me shoferin me armë në dorë dhe m’u drejtua mua, duke më kërkuar çelësat e makinës. Shoferi më vuri në brinjë automatikun, që e kishte tytën të nxehtë dhe kërkonte çelësat e makinës. Pasi ja dhashë, u ktheva në lokal për t’iu treguar ngjarjen familjarëve, por në këtë moment futet Dardha në lokal dhe më thërret për t’i treguar se ku e kishte indietron makina”, - ka vazhduar dëshmitari Qosja. Më pas, ai shpjegoi se kur kishte dalë jashtë lokalit, kishte parë edhe një person tjetër së bashku me Dardhën. Sipas Qoses, pasi i ka treguar Dardhës indietron, kishte dëgjuar teksa i thoshte atij personi që ishte bashkë me të, që të futej në makinë, sepse ishte duke ardhur policia. “Pashë që personi bashkë me Dardhën nuk ishte i armatosur. Pasi hipën në makinë, u drejtuan drejt rrugës së Skraparit”, - tregoi më tej Qosja. Dëshmitari sqaroi se menjëherë pasi u largua Dardha, kishte ardhur një makinë policie, e cila drejtohej nga Gani Malushi. “I tregova Malushit gjithçka, si dhe drejtimin nga ishte larguar makina”, - deklaroi Qosja. Mësohet se dëshmitari e kishte gjetur makinën e tij pas dy ditësh, të shkatërruar. Qosja e mbylli dëshminë e tij, duke i bërë të ditur gjykatës se kishte marrë vesh se në lagjen “Uznovë”, Altin Dardha kishte vrarë dy njerëz dhe kishte plagosur një tjetër, me makinën që ia kishte marrë atij.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›