Vrasja e Halim Gjuzit, Apeli dënon me 20 vjet burg Nehat Kullën
Gjykata e Apelit të Durrësit lë në fuqi vendimin e marrë një vit më parë nga Gjykata e Kavajës për “gjeneral” Nehat Kullën, i akuzuar për vrasjen e shoferit të ish-ministrit të Rendit, Halit Shamata, krim i kryer 10 vjet më parë në Golem. Vendimi është dhënë dje, ku nga togat e zeza, i pandehuri Kulla u shpall fajtor dhe u dënua me 20 vjet, po me aq vite sa e dënuan edhe kolegët e Shkallës së Parë të Kavajës. Për këtë krim, organi i akuzës nisi hetimet katër vjet më parë dhe nga dëshmitë dhe provat e grumbulluara në vendin e ngjarjes, rezultonte se personi që vrau ish-shoferin e Shamatës në Golem të Kavajës ishte Nehat Kulla. Sipas burimeve nga akuza, Nehat Kulla është arrestuar për një vrasje të ndodhur rreth orës 16:00, më 23 korrik 1998. Ngjarja ka ndodhur në autostradë në afërsi të Golemit. Referuar deklarimeve të akuzës, shtetasi Halim Gjuzi ka qenë duke udhëtuar në një automjet bashkë me familjen e tij. Dëshmitarët kanë pohuar se Halim Gjuzi është qëlluar me armë zjarri në prani të familjes së tij, ku bënin pjesë edhe dy fëmijët. Gjuzi ishte duke udhëtuar drejt qytetit të Durrësit, i shoqëruar edhe nga dy miq të tij italianë. Policia në raportin e saj për ngjarjen e 10 viteve më parë ka shënuar se autori i krimit ndodhej në një “Shevrolet” me targa ushtarake shtetërore. Ai besohet se ka qenë i shoqëruar nga një tjetër person, ndërsa ka qëlluar me një pistoletë të mbushur që e mbante në kroskotin e automjetit të tij. Dëshmitarët i kanë treguar policisë se automjeti i personit që ka kryer vrasjen është larguar në drejtim të qytetit të Kavajës. Po sipas hetimeve, ka qenë një takim i rastësishëm i Gjuzit me të pandehurin Nehat Kulla. Sherri ka nisur për një gërvishtje makine. Më pas gjithçka ka kapërcyer kufijtë. Sipas hetimeve të Prokurorisë, dyshohet se i pandehuri Nehat Kulla ka qenë tek “Shkëmbi i Kavajës” duke kaluar me makinë. Me viktimën duket se kishin edhe njohje të mëparshme. Fillimisht janë grindur me fjalë e më pas Kulla ka qëlluar mbi të me armë zjarri, duke e lënë të vdekur.
Detaj
10 vjet më parë, Nehat Kulla vrau në Golem të Kavajës, në prani të fëmijëve, Halim Gjuzin