Kujt tia prishë e kujt tia ndreqë
Të gjendur përballë kërcënimeve të vazhdueshme të Beogradit dhe njëkohësisht thirrjeve të shtetasve të tyre shqiptarë, dy shtetet ballkanike, fqinjë të Serbisë e Kosovës, Mali i Zi e Maqedonia, duket se janë zënë ngushtë e nuk dinë se kujt t’ia ndreqin e kujt t’ia prishin. E thënë më thjesht, dy vendet ndodhen në pozitë të vështirë lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës, pasi nuk duan të zemërojnë Serbinë, por në të njëjtën kohë duhet të plotësojnë edhe kërkesat e shqiptarëve, e në fund edhe vetë Perëndimit, që në një mënyrë apo në tjetrën kërkon njohjen e shtetit të ri, pasi vetëm kështu mund të kontribuohet në stabilitetin e rajonit. Kështu, ndërsa pritej brenda pak ditësh që Shkupi të bënte të ditur vendimin zyrtar për njohjen e Kosovës, tani mediat maqedonase thonë se ish-Republika Jugosllave e Maqedonisë mund ta shtyjë vendimin e saj, e natyrisht arsyet janë mëse të dukshme. Demarkacioni i vijës së kufirit të Maqedonisë me Kosovën po shkon drejt përfundimit, kurse njohja e pavarësisë së saj ende. Mediat raportojnë se për të gjithë procedurën e njohjes së Kosovës nga Maqedonia tashmë është rënë dakord mes autoriteteve maqedonase dhe kosovare në koordinim me administratën amerikane, por ka shumë mundësi që vendimi të shtyhet për shkak të kërkesës së Serbisë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për t’i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, lidhur me paralajmërimet gjithnjë e më të shpeshta që janë bërë këto ditë se Maqedonia do ta njohë shumë shpejt pavarësinë e Kosovës, deklaroi se qeveria e tij po e ndjek me të gjithë vëmendjen e duhur këtë proces dhe se ajo do të veprojë në përputhje me interesat shtetërore të Maqedonisë. “Po komunikoj me të gjithë partnerët tanë në Bashkimin Evropian dhe në NATO, ndaj nëse do të ketë ndonjë risi, do ta njoftoj atë publikisht, por deri tani nuk ka asgjë të re”, tha Gruevski. Kështu, edhe pse përfaqësuesit e lartë të Partisë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), e cila bën pjesë në koalicionin qeveritar maqedonas, bashkë me VMRO-DPMNE-në e Gruevskit, ngulin këmbë se njohja e Kosovës nga Maqedonia do të bëhet shumë shpejt, madje këto ditë, nga ana e qeverisë maqedonase nuk ka asnjë konfirmim të këtyre paralajmërimeve të BDI-së. Nga ana tjetër qëndron Mali i Zi, po aq i pavendosur sa edhe fqinji i tij, ish-pjesë e Jugosllavisë. Presidenti malazez, Filip Vujanoviç, deklaroi dje se vendi i tij do të njoftojë qëndrimin zyrtar ndaj iniciativës së Serbisë, në mbledhjen e ardhshme të asamblesë në muajin tetor. “Koha për të deklaruar qëndrimin tonë do të jetë në tetor. Shteti malazez si një i tërë do të analizojë këtë çështje me kujdes dhe nuk shohim asnjë arsye përse të mos e bëjmë të qartë opinionin tonë përpara Asamblesë së Përgjithshme”, - tha Vujanoviç, i cituar nga “Zëri i Amerikës”. Presidenti malazez pranoi gjithashtu, se gjatë takimit të fundit me homologun e tij serb, Boris Tadiç, ai i bëri të qartë pritshmëritë e Bashkimit Evropian dhe partnerëve në NATO mbi qëndrimin e Malit të Zi ndaj çështjes së Kosovës. “Është e drejtë që Serbia, e cila është mikja jonë, të ketë informacion të plotë se Malit të Zi i janë bërë qarta ato çka pret BE-ja në kontekstin e partneritetit me bllokun, pra që duhet respektuar qëndrimi dhe vendimi i vendeve më të rëndësishme të shteteve anëtare”, - tha Vujanoviç. Me pak fjalë, nëse republika e vogël e Malit të Zi aspiron të bëhet anëtare e BE-së, natyrisht që duhet të respektojë qëndrimin e anëtarëve të vjetër të bllokut, të cilët ishin të parët që e njohën pavarësinë e Kosovës. Por, nga ana tjetër është Beogradi, ai që vazhdon të insistojë me të vetën, dhe pavarësisht se kanë kaluar më shumë se 6 muaj nga krijimi i shtetit të Kosovës, kërkon të rikthehet sërish në tryezën e bisedimeve mbi statusin e asaj që ai ende e quan pjesë të Serbisë. E kështu, njëri pas tjetrit politikanët serbë kërcënojnë shtetet fqinjë, dikur nën autoritetin e Beogradit (në ish-Jugosllavi), se “do të ndëshkohen” nëse e njohin Kosovën. Dy ditë më parë ishte vetë presidenti Tadiç, i cili bëri një deklaratë të tillë, ndërsa dje shefi i politikës së jashtme serbe paralajmëroi Shkupin të mos nxitohet me vendimin për njohjen e Kosovës. Sipas medias në vend, Jeremiç kërkon që Maqedonia të presë derisa Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të japë opinionin e saj mbi ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. E përditshmja e Shkupit, “Dnevnik’, kishte dje në faqen e saj të parë shkrimin me titull “Serbia na paralajmëron të mos digjemi për Kosovën” dhe citon pikërisht deklaratën e ministrit të Jashtëm serb. Ky i fundit i kërkon Shkupit të mendohet dy herë dhe të mos i japë një goditje të tillë fqinjit të tij serb, që po lufton me mjete diplomatike për të zgjidhur këtë krizë. “Kjo nuk është një krizë vetëm për Serbinë, por për të gjithë ata që jetojnë në këtë rajon”, - deklaroi Jeremiç i cituar nga gazeta maqedonase.