30 kg ar i kishim dhuratë nga nëna
TIRANË - Pretendimet e vëllezërve Astrit dhe Genci Lamçe, se një sasi prej 30 kilogramësh bizhuteri ari i kishin dhuratë nga nëna, nuk është marrë aspak parasysh nga gjyqtari i gatshëm, Altin Shkurti, i cili vendoi masën e sigurisë “arrest me burg” për ta. Paraditen e djeshme, gjykata vendoi të dërgojë në qeli me pranga në duar biznesmenët nga kryeqyteti, të arrestuar katër ditë më parë për akuzën e kontrabandës së arit nga Italia në Shqipëri. Në kërkesën e tij, përfaqësuesi i akuzës deklaroi para gjykatës se gjatë hetimeve janë mbledhur prova dhe fakte, të cilat krijojnë dyshimin e arsyeshëm se dy vëllezërit kanë futur në Shqipëri një sasi prej rreth 30 kilogramësh ar të padeklaruar në doganë, duke iu shmangur detyrimeve ligjore. Për këtë arsye, prokurori i çështjes kërkoi nga gjykata masën e sigurisë “arrest me burg”. Por kjo kërkesë u kundërshtua nga përfaqësuesi ligjor i vëllezërve Lamçe, i cili solli para gjykatës një sërë argumentesh, që megjithëse ishin të vlefshëm, nuk e bindën gjykatën të japë një masë më të butë sigurie. Pala mbrojtëse deklaroi në gjykatë, se dy vëllezërit kishin një aktivitet të hershëm në tregtimin e floririt, duke filluar nga viti 1993. Duke parë mënyrën e funksionimit të tregut përgjatë vitit 2005, kur u shtua ndjeshëm edhe kontrabanda e arit, vëllezërit Lamçe vendosën të mbyllin firmën “Geas”, pasi konkurrenca e pandershme uli fitimet e tyre. Sipas mbrojtësit, deri në prill të vitit 2007 ligji parashikonte pagesën e TVSH-së në doganë për çdo mall apo artikull që hynte në Shqipëri. Dy tregtarët, që njihen si biznesmenë të ndershëm në Tiranë, pasi nuk përballuan dot konkurrencën e pandershme, vendosën të mbyllin aktivitetin e tyre në vitin 2005, duke rihapur një tjetër firmë në vitin 2007, pikërisht kur ndryshoi ligji për TVSH-në në doganë. Sipas pretendimit të tyre, nga mbyllja e aktivitetit atyre iu ngeli një sasi ari, e cila së bashku me dhuratën e nënës (rreth 30 kilogramë ar në bizhuteri), u vu në përdorim menjëherë pas hapjes së firmës “Genci bizhu”. Sipas pretendimeve të vëllezërve Lamçe, kjo është sasia e floririt, për të cilën prokuroria dhe policia pretendojnë se është e padeklaruar në doganë. Nga ana tjetër, avokati mbrojtës i tyre shprehu kërkesën, që organi i akuzës nëpërmjet një letërporosie t’i kërkojë firmës italiane të japë të gjitha të dhënat rreth sasisë së arit që dy vëllezërit kanë blerë aty, për të bërë dhe rakordimin mes sasisë së importuar, asaj të shitur dhe tepricës së gjetur, e cila dyshohet se është rreth 30 kilogramë. Por ky pretendim nuk bindi gjykatën, e cila vendosi të lërë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për biznesmenët Astrit dhe Genci Lamçe, të cilët akuzohen për kontrabandë me mallra të tjerë. Veç kësaj akuze, prokuroria po verifikon edhe dyshimet që dy vëllezërit mund të kenë bëtë evazion fiskal, pasi nga disa fatura shitjeje është verifikuar fakti, se sasia e mallit të shitur ka qenë më e madhe se sasia e shënuar në faturë. Blofi me lingotatDy shufrat e arit me peshë një kilogram special të kapura në banesën e vëllezërve Lamçe në kuadër të operacionit “Ora e florinjtë”, nuk rezultojnë të jenë pjesë e Thesarit të Shtetit, ashtu siç tha policia katër ditë më parë. Burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se nga verifikimet paraprake, rezulton se dy lingotat mund të jenë prodhuar në mënyrë artizanale, ose mund të jenë blerë nga jashtë. Sipas prokurorisë, shufrat e arit nuk kishin asnjë numër të stampuar, fakt i cili përjashton kategorikisht mundësinë që të jenë pjesë e Thesarit të Shtetit të grabitur në vitin 1997, siç tha zyrtarisht policia e Tiranës.