E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjatë tre viteve pastruan dosjet e mbetura

Ish-ministri i Rendit mendon se mazhoranca po kërkon të implementojë projektligjin për qëllime politike

Ish-ministri i Rendit në vitin 2002, Stefan Çipa, akuzon mazhorancën se e ka vonuar miratimin e ligjit të spiunëve, pasi ka pastruar gjatë këtyre tre viteve në pushtet dosjet e mbetura të papastruara, siç thotë ai, nga SHIK-u i Gazidedes. Në një intervistë për “Korrierin”, Çipa sqaron se shumica mund ta kalonte këtë ligj që në fillim të nisjes së mandatit të saj në pushtet, por e ka shtyrë në këto momente edhe për ta shfrytëzuar atë politikisht. Sipas tij, shumë njerëz që preken nga projektligji do të druhen kur të shkojnë në kutitë e votimit, pasi do të kenë frikën e ndërprerjes së mandatit në vendet e tyre të punës në administratë. “Thashë, unë nuk kam parë draftet, por nëse ka draft, ku ata kërkojnë që të jenë edhe sekretarët e partisë dhe kryetarët e komiteteve ekzekutive, atëherë unë mendoj që kjo është çështje e tyre e brendshme. Siç duket, duan të heqin sekretarin e partisë, Sali Berishën, që ka qenë para”, - tha Çipa lidhur me shtimin e gamës së atyre që i konsiderohen si të papastër, bazuar në draftin e propozuar nga deputeti demokrat Aleksandër Biberaj. Ish-ministri i Rendit shtoi se edhe për ish-bashkëpunëtorët duhet të përcaktohen kritere, pasi një pjesë e tyre nuk mund të kenë qenë të angazhuar në çështjet e dënimit të njerëzve për agjitacion propagandë etj., por thjesht mund të kenë qenë edhe ruajtës objektesh.  -Përse mendoi se ka gjatë këtyre muajve një insistim kaq të madh nga zonja Topalli e aktualisht nga mazhoranca për të kaluar të ashtuquajturin ligji i “spiunëve”?Stefan Çipa: “Vjen pikërisht në këtë moment që ne kemi hyrë në vitin elektoral, si presion i mazhorancës së sotme për të kaluar këtë ligj në formë urgjente, kur dimë që ka pasur qysh në fillim të kësaj legjislature  drafte nga tri forca politike, nga PS-ja, PD-ja e PDK-ja, për të kaluar një projektdraft. Për mua, arsyeja pse vjen në këtë momente pasi është zvarritur, është sepse ne jemi në një vit paraelektoral dhe bëhet për t’u bërë presion njerëzve edhe të punësuarve, por edhe të zgjedhurve me këtë projektligj. E dyta, mos harrojmë se jemi tre vjet pas ardhjes në pushtet të kësaj mazhorance dhe ato dosje që ndoshta kishin ngelur pa u pastruar nga SHIK-u i Gazidedes, që mund të ketë futur duart, dhe kishin mundësi edhe tre vjet të tjera për të bërë atë “post-Pilatin” e asaj që thashë, që “ne jemi të hapur e nuk jemi të papastërit” dhe “ne jemi të virgjër”. Mazhoranca e sotme përveç kësaj, kërkon t’i bëjë presion elektoratit e administratës civile. Të gjithë këto drafte i njohim nga çfarë kemi lexuar nga media, sepse aktualisht në Kuvend ne deputetët, përjashto Komisionin e Ligjeve, nuk jemi njohur nga afër. Pas diskutimit që do të bëhet në Komisionin e Ligjeve, unë do të kërkoja që të kalonte edhe në komisionet e tjera ky projektligj”.-Përse është antikushtetues projektligji?“Për mua është një projektligj antikushtetues, sepse cënon në radhë të parë të drejtat dhe liritë e njeriut. E dyta, thashë që, mesa jam njohur nga mediat, nuk duhet të ketë ndërprerje mandatesh dhe nuk mund të ketë forcë prapavepruese. Duhet të mbarojnë mandatin, pastaj të hyjë në fuqi ligji. E treta, ka një diapazon goxha të madh. Për mendimin tim, duhet të kihen parasysh edhe rekomandimet e Bashkimit Evropian e eksperiencat e vendeve të tjera”.-Si e shikoni kërkesën e mazhorancës për shtimin e gamës që tejkalon synimin paraprak, kur flitej vetëm për ish-bashkëpunëtorët?“Thashë, unë nuk i kam parë draftet, por nëse ka draft, ku ata kërkojnë që të jenë edhe sekretarët e partisë dhe kryetarët e komiteteve ekzekutive, atëherë unë mendoj që kjo është çështje e tyre e brendshme. Siç duket, duan të heqin sekretarin e partisë, Sali Berishën, që ka qenë para. Këtu ndoshta mund të shkohet deri tek ministrat që kanë brenda tyre”.-Thatë që edhe kryeministri do të sanksionohet nga ky ligj?“Ju thashë që, në bazë të atyre që kam lexuar në media, nëse ata e shtrijnë deri tek sekretarët e partisë, kujtojmë që një sekretar i tillë ka qenë zoti Berisha. Kështu që duhet të fillojë nga Berisha e me radhë”. -A duhet të ketë kategorizim për ata që cilësohen si “të papastër”?“Unë kam një mendim: jo çdo njeri që ka bashkëpunuar me drejtësinë, ka bashkëpunuar me organet inteligjente që kanë qenë në atë kohë dhe duhet përshirë këtu. Këtu duhen përshirë të gjithë ata që janë marrë me veprimtari për agjitacion dhe propagandë, veprimtari politike e veprimtari të theksuara të diktaturës komuniste. Këta që i kanë shërbyer shtetit, p.sh. për ruajtje objekti, nuk mund të sanksionohen nga ligji. Pra, duhet të ketë kategorizim, e midis tyre jo çdo njeri që ka mbaruar atë shkollë. Të jetë për ata që ka dokumente, jo për thashetheme e gjëra. Mund të ketë një bashkëpunëtor që ruante një objekt, një hidrocentral apo çfarëdolloj objekti dhe që nuk ka bërë një efekt, sepse thjesht ka qenë roje, ndaj s’mund të sanksionohet. Për mua objekt i ligjit duhet të jenë bashkëpunëtorët që kanë dalë në procese gjyqësore për veprimtari politike, që i kanë shërbyer diktaturës komuniste”. -Cila do të ishte zgjidhja për hartimin e funksionimin e këtij ligji?“Unë qëndroj me atë që ka deklaruar PS-ja, që ky komision së bashku me ekspertë ndërkombëtarë të bëjnë një ligj të qëndrueshëm, e kjo të mos ndodhë sa herë që jemi para zgjedhjeve. Edhe në zgjedhjet e mëparshme ky ligj ka kaluar nja katër herë në parlament. Njëherë ka qenë komisioni “Bezhani”, ku shumica e deputetëve të këtij Kuvendi kanë kaluar në rrjetën e këtij komisioni, pastaj po ai ligj ka vazhduar prapë. Mendoj që kemi që nga ‘91-shi një pluralizëm dhe mendoj se sa i vonuar është ky ligj për të bërë pastërtinë e figurave. Megjithatë, unë mendoj që bashkë me ekspertët e BE-së ky duhet të jetë një ligj konsensual, që Shqipëria të shkëputet nga e kaluara komuniste dhe duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›