E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula e shpërndarjes së mandateve brenda javës

Komisioni i Reformës Zgjedhore pritet që të nisë në fillim të kësaj jave diskutimet për gjetjen e formulës për shpërndarjen e mandateve parlamentare. Burime të mirinformuara pranë komisionit bëjnë të ditur se forcat politike kanë rënë dakord që të nisin sa më shpejt diskutimet për përzgjedhjen e një formule, kur modelet duket se janë të shumta. Ndërkohë, afati paraprak i vendosur nga palët është fundi i javës së ardhshme. Deri tashmë, Partia Demokratike dhe ajo Socialiste nuk kanë propozuar akoma në komision ndonjërin nga modelet, megjithatë në tryezat politike ato kanë nisur të diskutohen. Kjo konfirmohet edhe nga anëtari republikan i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Arian Madhi, i cili thotë se modelet ekzistojnë, por forcat politike nuk kanë rënë dakord se cili model do të përdoret. Vetë Madhi thotë se ai ka përzgjedhur disa nga modelet që do të mund të siguronin një shpërndarje të drejtë të mandateve, modele të cilat do të shtrohen për diskutime në komision. Ndërkohë, duket se partitë e mëdha gjenden para kundërshtimeve të partive të vogla për sa i përket çështjes së presjeve dhjetore dhe mandateve që dalin prej tyre. Forcat e vogla politike duket se kanë propozimin e tyre, që do të sillte në një farë mënyre edhe korrektimin e sistemit proporcional rajonal dhe do të garantonte qenien e tyre në parlament. Kjo duket se kundërshtohet edhe nga forcat e mëdha politike, të cilat e cilësojnë si një problem kushtetues. Pak ditë më parë, nënsekretari i Çështjeve Ligjore në Partinë Socialiste, Damian Gjiknuri, vuri në dukje faktin se problemi në këtë rast është kushtetues. “Kushtetuta thotë që mandatet ndahen në bazë të qarqeve. Në bazë të korrektimit është mundësia që votat e një qarku të shkojnë në një qark tjetër. Është e vështirë të realizohet nga pikëpamja kushtetuese”, - tha Gjiknuri. Ndërkohë, burimet bëjnë të ditur se një nga mundësitë më të realizueshme është ajo për gjetjen e një formule për shpërndarjen e mandateve, por që kjo formulë të mos sjellë korrektimin e sistemit, si dhe problemi i partive të vogla të kalojë në tryezat politike të koalicionit përkatës. Kështu, pritet që në kodin e ri zgjedhor të jepet një zgjidhje, e cila nuk do të prekë sistemin proporcional rajonal, ndërsa pakënaqësitë e të vegjëlve kalojnë për zgjidhje në koalicionin përkatës. Ndërkaq, një çështje tjetër që pritet të shoqërohet me debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore është edhe ajo e administratës zgjedhore të pavarur. Propozimi i Partisë Socialiste është për një administratë zgjedhore të pavarur, gjë e cila ka arritur të gjejë edhe mbështetjen e partive të djathta, të paktën në mënyrë publike. Megjithatë, burimet bëjnë të ditur se e djathta mund të propozojë pavarësinë e vetëm një niveli të administratës zgjedhore, atë të komisioneve të votimit. Ndërsa në komisionet qendrore të numërimit të votave, mësohet se propozimi do të jetë për pjesëmarrjen e përfaqësuesve të të gjitha forcave parlamentare.    Problemi i ndarjes së mandateveNë qarkun X, koalicioni Y i përbërë nga 7 forca politike ka marrë, p.sh., 61 mijë vota në total, me të cilat siguron 6 mandate parlamentare. Nga këto 7 forca politike, 4 prej tyre kanë marrë nga 10 mijë vota, me të cilat sigurojnë përkatësisht 4 mandatet e para. Ndërkohë, 2 mandatet e tjera u takojnë 3 forcave të vogla politike, të cilat kanë marrë përkatësisht nga 7 mijë vota, ku asnjëra nuk plotëson numrin për të përfituar një mandat. Atëherë, debati qëndron tek çështja sesi këto parti mund të përfitojnë mandatet e mbetura. Një nga modelet është ajo e transferimit të votave të partive të vogla nga rajonet e tjera për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave për sigurimin e mandatit, duke sjellë kështu edhe korrektimin e sistemit. Një model tjetër është ai i bashkimit të votave të forcave politike të koalicionit, ku forcat e vogla ia japin votat forcës që ka marrë më shumë vota në rajon, duke e ndihmuar atë të sigurojë një mandat.  Megjithatë, edhe në këto modele paraqesin probleme kushtetuese, sepse sistemi është proporcional rajonal.    Problemi i administratës zgjedhorePartia Socialiste ka propozuar që zgjedhjet të administrohen nga të pavarurit, sipas rekomandimeve të ndërkombëtarëve të KE-së dhe OSBE-së. Kjo ide mirëpritet pothuajse nga të gjitha forcat politike, madje edhe nga ato të djathta, të cilat e kanë mbështetur menjëherë këtë ide. Megjithatë, pritet që e djathta të propozojë që në komisionin e numërimit të votave të propozohet që të jenë përfaqësuesit e forcave parlamentare. Kjo pritet që të jetë një pikë që mund të shkaktojë debate në Komisionin e Reformës Zgjedhore. Ndërkohë, çështja e administratës zgjedhore duket se do të sjellë edhe kapërcimin e pjesës së vështirë të kodit zgjedhor, i cili sipas deklarimeve të zyrtarëve, do të miratohet brenda muajit tetor të këtij viti.  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›