E Shtunë, 31 Tetor 2026

TVSH-ja, kërkohet shtyrje e afateve sipas kreditimit

Sipas KASH-it, kushtet më lehtësuese duhet tiu jepen bizneseve që kanë marrë kredi më të mëdha nëpër banka

Për të shlyer TVSH-në e prapambetur nga zhdoganimet e makineri-pajisjeve, Ministria e Financave duhet të vendosë duke marrë parasysh kreditimin e biznesit në banka. Ky është propozimi që del nga Këshilli i Agrobiznesit Shqiptar mbi debatin e fundit financiar lidhur me përcaktimin e afateve të shlyerjes së TVSH-së për makineritë e importuara nga biznesi prodhues. Kryetari i KASH-it, Enver Ferizaj, tregon për gazetën “Korrieri” se i njëjti variant i është propozuara edhe Ministrisë së Financave, ndërkohë që ende nuk është rënë dakord nëse kriteri i propozuar do të merret parasysh. “Ne si KASH kërkojmë që në përzgjedhjet e ministrisë lidhur me pagesat në afat deri 5-vjeçar të TVSH-së për makineri-pajisje, të merret parasysh edhe vlera me të cilën është kredituar në sistemin bankar të vendit tonë biznesi përkatës”, pohon Ferizaj. Ai shton më tej se, “një biznes që arrin një vlerë të konsiderueshme investimi dhe që ka marrë një shumë të konsiderueshme kredie nga bankat, nuk mund të trajtohet njëlloj si një biznes tjetër që ka investuar shumë më pak”. Ndryshimet në ligjSipas ligjit aktual, investitorët e huaj apo edhe vendas që investojnë në Shqipëri, kanë të drejtën e shlyerjes së TVSH-së për makineritë e importuara deri brenda 12 muajve nga data e zhdoganimit të tyre. Ndërkohë, në projektligjin e ri është menduar që investitorëve t’iu jepet më shumë kohë për të shlyer detyrimet e prapamendura të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, duke e çuar atë në dy vjet. Por projektligji përkrah edhe ata persona të cilët tregtojnë revista apo gazeta të huaja, pasi përjashtohen nga TVSH-ja, sikurse edhe të gjitha OJF-të.Investimet dhe falimentimetGjatë vitit 2007, agroindustria realizoi prodhim në masën e 48 miliardë lekëve, me rritje vetëm 3.3 për qind. Në vitin 2006, ky sektor qe rritur me 9 për qind. Që nga viti 2005, në këtë sektor është regjistruar mbyllja e 20 ndërmarrjeve, mbyllje që shpesh janë justifikuar me humbjet në biznes, si pasojë e sistemit taksativ apo mungesës së energjisë elektrike. Gjatë vitit të kaluar vërehet një rënie e konsiderueshme e prodhimit të sallamit me 7 për qind, i vajit vegjetal me mbi 30 për qind, i vajit të ullirit me 56 për qind etj. Me rritje kanë qenë industria e blojës, bukës dhe e birrës. Prodhimi i pijeve freskuese ka rënë, ndërkohë që prodhimi i ujit mineral ka pësuar rritje të ndjeshme. Gjatë vitit të fundit, çmimet e prodhimeve të bulmetit në tregun ndërkombëtar janë rritur me 80 për qind, ndërsa çmimet në tregun shqiptar kanë mbetur të pandryshuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›