E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hasta la vista, kokaina me postë nga Argjentina

TIRANË - Dy persona i kanë thënë “hasta la vista” lirisë, pasi u prangosën nga policia teksa po merrnin një pako me kokainë nga Argjentina. Pas trafikut të drogës së shtrenjtë nëpërmjet shisheve të verës, një tjetër metodë edhe më komode është zgjedhur për t’u përdorur nga trafikantët: ajo e postës. Eglant Muka, 39 vjeç, pa precedent penal, dhe 41-vjeçari Eduart Smajli, i dënuar në shtetin italian për të njëjtën vepër penale, atë të “trafikimit të lëndëve narkotike”, u kapën mesditën e djeshme, pas marrjes së pakos që mbante katër qese të mbushura me “mall”. Burime të besueshme pranë grupit hetimor bënë të ditur se zarfi, origjina e të cilit ishte Argjentina, në pamje të parë dukej një korrespondencë normale postare. Por informacionet e ardhura nga policia gjermane, ku droga kishte kaluar tranzit drejt Shqipërisë, kanë bërë që për agjentët e policisë të mos kishte asnjë dyshim se brenda në pako do të kishte lëndë narkotike. Policia e kryeqytetit tha se sasia e kokainës është afro 600 gramë, ndërkohë që po vazhdojnë ende hetimet në lidhje me dokumentimin e rasteve të tjera, në të cilat mund të jetë trafikuar drogë nëpërmjet postës.Hetimet Burimet policore bënë të ditur se pasi kishin marrë informacionin e parë në lidhje me një trafik që realizohej nëpërmjet shërbimit postar, kishte nisur puna për hetimin dhe personat e përfshirë në të. Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit në bashkëpunim me Postën Shqiptare, policinë gjermane dhe me Prokurorinë e Krimeve të Rënda kryen hetimet, të cilat zgjatën afro dy muaj. Origjina e drogës mësohet të jetë Argjentina, ndërkohë që pakoja ishte postuar në Gjermani, për t’u nisur më pas drejt destinacionit përfundimtar, Tiranë. I koduar “Hasta la vista”, aksioni policor nisi në orët e vona të para dy netëve, rreth orës 23:30, për të përfunduar mesditën e djeshme. ArrestimetE nëse hetimet për dërguesin e zarfit vazhdojnë ende, nga burimet thuhet se në rolin e marrësit ishte Muka. Nga të njëjtat burime mësohet se ky ka qenë edhe personi i parë i arrestuar, për të vazhduar më pas me vënien në pranga të bashkëpunëtorit të tij, Smajli, i cili ka qenë i skeduar më parë nga policia italiane për trafikim kokaine. Sipas burimeve zyrtare, sasia e kapur është 560 gramë dhe e paketuar në katër pako. Nga hetimet e deritanishme mësohet pakoja ishte nisur në rrugë postare nga Argjentina me destinacion Tiranën, ku në cilësinë e provës materiale përveç kokainës, u sekuestrua edhe një automjet tip “Benz Mercedes”, seria ML, me targa amerikane. Burimet saktësojnë se vazhdon puna për përfshirje të personave të tjerë në këtë trafik të pazakontë.    Trafiku me shishe vereVdekja e Tomi Rrumbullakut dhe Diana Xibrakut si pasojë e mbidozës së kokainës së gjetur në shishen e verës më 12 janar të këtij viti, u bë shkak për zbulimin e njërës prej formave më të rralla të trafikimit të lëndëve narkotike. Disa muaj hetime dhe prokurorët e krimeve të rënda deklaruan se bëhej fjalë për një rrjet të sofistikuar të kokainës, që futej në formë tretësire brenda në verë, e që më pas përpunohej. Sipas hetuesve, asnjëri prej viktimave nuk kishte dijeni për sasisë e drogës që po e konsumonin krejt rastësisht. Rrumbullaku dhe Xibraku po drekonin në një restorant peshku ditën e vdekjes, dhe shishja e verës që u shkaktoi vdekjen rezultoi se nuk ishte blerë në restorant, por ishte marrë me vete nga punonjësi i shpërndarjes së postës, Tomi Rrumbullaku. Duke shkelur rregullat e lokalit, pronari u kishte lejuar që të përdornin verën e marrë me vete, pasi viktimat ishin klientë të rregullt. Shishja e verës mësohet të jetë marrë krejt rastësisht nga Rrumbullaku.     

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›