E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dëshmia, Banda e Lushnjës ma vrau vëllanë gabimisht

Autori i Lajmit: Romir Saraçi
Banda e Lushnjës

Në procesin gjyqësor në ngarkim të të pandehurve të bandës së Lushnjës është dëgjuar dëshmia e vëllait të një prej viktimave të kësaj bande. Vëllai i Idajet Beqirit ka treguar të gjitha të dhënat që kishte për vrasjen e vëllait të tij. Ai ka pohuar se vëllai i tij është vrarë gabimisht nga anëtarët e bandës, pasi ai nuk kishte asnjë kontradiktë me ta, por kishte hipur rastësisht në automjetin që u sulmua. “Më kanë thënë që vëllanë tim e kanë vrarë këta të pandehur, por unë nuk kam parë gjë dhe nuk kam asnjë dijeni”. Kështu është shprehur Jakup Beqiri gjatë seancës së djeshme në ngarkim të bandës së Lushnjës. Dëshmitari është vëllai i njërit prej viktimave të kësaj bande, i vrarë më 22 shkurt 1998, pranë Kolonjës.
Dëshmia
Në dëshminë e tij, ai theksoi se në atë periudhë ka qenë kryetar i Komunës Kolonjë, ndërsa i vëllai ka qenë me banim në fshatin Bitaj të kësaj komune. “Ditën e ngjarjes unë bashkë me vëllanë tjetër kemi qenë në një varrim dhe po prisnin që të vinte dhe Idajeti, kur më njoftojnë se është plagosur vëllai dhe se duhet të shkoja menjëherë. Rrugës për në spital, ndeshem me makinën e cila ishte duke sjellë trupin pa jetë të vëllait tim nga Spitali i Lushnjës”, - u shpreh dëshmitari. Lidhur me rrethanat e ngjarjes, ai shpreh se nuk kishte asnjë dijeni, por nga personat e tjerë kishte mësuar se i vëllai kishte dalë në rrugë kryesore për të marrë një makinë dhe për të ardhur në varrim. Rrugës kishte ndaluar një makinë dhe e kishte marrë. Ai shtoi se kishte mësuar se për disa kilometra, i vëllai kishte ecur në këmbë, pasi rruga ishte e keqe dhe ai kishte zbritur nga makina, por më pas kishte hipur sërish. Në një kthesë, makinës i kishin dalë përpara persona të armatosur, të cilët kishin qëlluar mbi personin që ndodhej në sediljen e parë të pasagjerit. Sipas dëshmive të banorëve të zonës përreth, Jakup Beqiri u shpreh se kishte mësuar se Idajeti kishte dalë nga makina dhe u kishte thënë personave të armatosur që të mos qëllonin, por ata kishin qëlluar mbi të duke e lënë të vdekur në vend.
Përplasja
Një tjetër pikë e debatuar e kësaj seance ishte dhe shkresa e ardhur nga Gjykata e Elbasanit, lidhur me gjendjen gjyqësore të dëshmitarit Gramoz Selmani. Sipas kësaj gjykate, në zyrat e tyre nuk kishte asnjë material për këtë person, pasi ato i kishin kaluar Gjykatës së Lushnjës, e cila disa seanca më parë, me anë të një shkrese ishte shprehur se nuk kishte asnjë të dhënë lidhur me këtë person. Të ndodhur përpara kësaj paqartësie, trupi gjykues vendosi t i dërgoi një shkresë Prokurorisë së Përgjithshme për të saktësuar statusin gjyqësor të dëshmitarit Gramoz Selmani. Selmani është kthyer në një pikë të fortë debati midis avokatëve dhe prokurorëve, pasi sipas avokatëve, Selmani është një person që kërkohet nga drejtësia shqiptare dhe se deklarimet e marra prej tij nuk mund të quhen të rregullta. Tashmë pritet shkresa e prokurorisë, për të vendosur lidhur me deklarimet e njërit prej dëshmitarëve kyç të këtij procesi.

Shtyhet pretenca për Dondollakun
Ndarja e dosjes së dy krerëve të bandës së Lushnjës ka bërë që seanca e djeshme gjyqësore të shtyhet. Kur pritej që të lexoheshin konkluzionet e prokurorisë për të konsideruarin si numrin dy të bandës, gjykata ka vendosur shtyrjen e seancës, pasi ende nuk është vendosur ndarja e procesit. Në seancën e djeshme prokurori i çështjes do të lexonte pretencën për dënimin e Enver Dondollakut, por kjo do të ndodhë kur të përcaktohet seanca e radhës. Gjykata ka vendosur që të ndajë procesin për këta të pandehur duke pranuar kërkesën e Dondollakut për gjykim të shkurtuar. Pasi është njohur me aktet hetimore dhe krimet që ai ka kryer në bashkëpunim me bandën e tij, i ka dërguar një letër gjykatës ku kërkon që për të, të aplikohet gjykimi i shkurtuar, pasi i pranon të gjitha krimet e bëra dhe është i penduar për çdo gjë që ka kryer. I të njëjtit mendim nuk ka qenë kreu i bandës, Aldo Bare, i cili tashmë mbetet i “tradhtuar” nga e gjithë banda e tij, të cilët po gjykohen në procese të veçuara. Dondollaku tashmë mund t i shpëtojë burgimit të përjetshëm, pasi atij do t i ulet 1/3 e dënimit.

Ky lajm është publikuar: 06/06/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›