E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtesë për 14 të pushkatuarit e 60 viteve më parë

Mirditë, përkujtohet Masakra e Valmirit por edhe persekutimi që i është bërë Mirditës në vitet e regjimit komunist



MIRDITË- Shoqata e të përndjekurve politikë në Mirditë, ka përkujtuar 60- vjetorin e Masakrës së Valmirit, në një tubim homazh si dhe përurimin e monumentit simbol në një nga kryqëzimet kryesore të qytetit të Rrëshenit. Pos familjarëve dhe të afërm të burrave që u pushkatuan pa gjyq 60 vite më parë, si dhe nga familje që u lincuan, internuan dhe u keqtrajtuan për dekada të tëra nën sundimin komunist, të pranishëm ishin dhe drejtues nga shoqata kombëtare e të Persekutuarve Politikë si dhe nga shoqata të rretheve të tjera, deputetë e drejtues vendorë.

Veprimtaria u përcoll përmes një homazhi në shenjë respekti si dhe disa prurjeve të reja nga fakte historike që dëshmojnë jo vetëm masakrën e kryer më 17 gusht 1949, por dhe episode të tjera që lidhen me përndjekjen e gjatë ndaj familjeve të tëra në Mirditë dhe vetë krahinës në përgjithësi. Sipas folësve në këtë tubim, ndaj Mirditës është ushtruar një holokaust i gjatë që me ardhjen në pushtet të klikës së Enver Hoxhës, si krahinë që nuk ishte nënshtruar në shekuj, ndërsa vrasja e Bardhok Bibës, ish- sekretar i parë i partisë së këtij rrethi dhe deputet, shërbeu si rast për të vrarë e masakruar qindra e mijëra familje mirditase si dhe copëtimin e kësaj krahine, duke ia ndarë ashtin e saj edhe gjeografik edhe zakonor e dokësor të ruajtur ndër shekuj në 5 rrethe të tjera, ashtu si nuk ka ndodhur në asnjë vend të botës. Këtë e kumtoi në fjalën e tij kryetari i shoqatës Gjon Nikoll Deda, por dhe Preng Gjomarkaj që mbajti kumtesën e zgjeruar rreth kësaj ngjarjeje dhe asaj që ndodhi me tërë Mirditën.

Duke nderuar kujtimin e 14 martirëve të demokracisë të ekzekutuar pa gjyq të mirëfilltë më 17 gusht 1949, kryetarja e Parlamentit, Jozefina Topalli, është ndalur në kujdesin që duhet treguar për këtë shtresë nga shteti dhe qeveria shqiptare për ta integruar në shoqëri. Ajo i ka përshëndetur për gjithë kontributin që ata kanë dhënë në udhën e demokracisë së vendit dhe që padyshim kanë qenë pararoja e ruajtjes së vlerave njerëzore, e vlerave më të mira të demokracisë shqiptare.

Jo pak nga anëtarët e kësaj shoqate, të pakënaqur me koalicionin e ri Berisha-Meta, por të prirur nga deviza "Duam më shumë Shqipërinë", kanë kërkuar trajtesë më të theksuar nga shteti e qeveria, pasi më e shumta në detyrat shtetërore bijtë e kësaj shtrese po i lënë roje tek dera.
Më pas, në praninë e qindra banorëve të qytetit dhe përfaqësues nga shoqata e të përndjekurve, pas fjalës së rastit mbajtur nga Lek Shtinja, njëri prej bijve të njërit prej martirëve të demokracisë vrarë më 17 gusht 1949, është përuruar monumenti simbol, i punuar nga skulptori i ri Klejv Pjetri, një punim artistik në gur, tejet domethënës, që më së pari tregon një shqiponjë karakteristike të Shtetit të Parë të Arbërit, me epiqendër në Mirditë, e plagosur në gjoks nga bisha komuniste.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›