E Diel, 1 Nëntor 2026

Kujtim Majaci vlerësohet me titullin "Qytetar Nderi"

Kujtim Majaci, futbollisti më i mirë në historinë e futbollit fierak është përcjellë për në banesën e fundit. Ceremonia mortore u krye në orën 17:00, ndërkohë që asaj i parapriu një homazh në nderim të Majacit të famshëm. Këshilli Bashkiak i Fierit u mblodh urgjent gjatë paradites së djeshme dhe e ka vlerësuar 47-vjeçarin me titullin "Qytetar Nderi". Fillimisht këshilltarët kanë mbajtur një minutë heshtje, ndërsa menjëherë më pas, kryetari Vasillaq Ngresi lexoi një projektvendimin, i cili u miratua unanimisht nga të gjithë këshilltarët. Titulli "Qytetar Nderi", i dhënë pas vdekjes, u motivua me "figurën përfaqësuese, intelektuale e personalitetin e spikatur për veprimtari të dalluar në fushën e sportit dhe të arsimit, si edhe futbollist i talentuar, idhulli më i madh i tifozerisë dhe legjendë e futbollit fierak". Në shenjë zije, klubi sportiv "Apolonia" ndërpreu të gjitha aktivitetet, ndërsa drejtues të lartë politikë, përfaqësues të institucioneve vendore, krerët e Federatës së Futbollit dhe ish-futbollistë i kanë dhënë Majacit lamtumirën e fundit në hollin e teatrit "Bylis". "Kemi humbur një mjeshtër të madh të futbollit dhe një talent si Kujtim Majaci. Ai ishte nga ata futbollistë të papërsëritshëm të viteve ‘80, që së bashku me Apoloninë e asaj kohe ka bërë histori në futbollin shqiptar. Për faktin se ai ka qenë dhe mbetet një simbol për qytetin e Fierit, një ditë e tillë, është e trishtueshme për mijëra e mijëra shqiptarë", tha presidenti i FSHF-së, Duka, rreth shënuesit të 174 golave me bardhjeshilët. Mesazh ngushëllimi për familjen Majaci ka ardhur edhe nga Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›