Ambasadorët: Tregoni pjekuri, respekt për zërin e qytetarit
“Thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Alexander Arvizu dhe Kreu i Delegacionit të Bashkimit Europian, Ettore Sequi i kërkuan dje aktorëve politikë të respektojnë zërin e qytetarëve. “U njohëm me vendimin e Kolegjit Zgjedhor shqiptar, si organi më i lartë ligjor që gjykon apelimet zgjedhore. Është thelbësore që të gjitha palët të veprojnë, pas këtij vendimi, në mënyrë të qetë, të pjekur e të përmbajtur, duke vënë interesin kombëtar përpara çdo lloj interesi partizan vetjak”, thuhet në njoftimin e përbashkët. Po aq e rëndësishme është që të gjitha palët, vlerësojnë ambasadorët, partitë politike dhe qytetarët, të presin derisa rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve të certifikohen nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, siç kërkohet nga legjislacioni shqiptar. Diplomatët kryesorë të akredituar në Tiranë shprehin besimin se më 8 Maj, qytetarët e Shqipërisë votuan për kandidatët e zgjedhur prej tyre. “Ky zë tashmë duhet të dëgjohet dhe të respektohet nga të gjitha partitë politike. Ne do të ndjekim nga afër përmbylljen e procesit zgjedhor dhe shpalljen e rezultateve përfundimtare, si dhe vlerësimin e procesit nga misioni i vëzhgimit të zgjedhjeve i OSBE/ODIHR-it, duke pasur parasysh shqetësimet e ngritura në deklaratat tona të mëparshme”, përfundon deklarata e tyre. Një qëndrim i tillë i trojkës së ambasadorëve, duket se i ka dhënë fund pretendimeve të palëve mbi vendimin e Kolegjit Zgjedhor. Ishte kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ai që një ditë pasi u shpreh Kolegji, doli në komunikim me median duke ju bërë thirrje ndërkombëtarëve të asistojnë në një ekspertizë ndërkombëtare. “Ky vendim për ne është absolutisht i papranueshëm dhe sot nënvizojmë me forcë, domosdoshmërinë e një ekspertize ndërkombëtare, që të mund të garantojë në kohë përputhjen e vendimmarrjes ligjore për çështjen e zgjedhjeve të 8 Majit, me standardet e botës demokratike, ku Shqipëria nuk mund të integrohet përmes zgjedhjesh të grabitura ditën për diell e pastaj të vulosura nga trupa gjykues tërësisht të nënshtruar ndaj pushtetit”, u shpreh Rama në fundjavë. Në vlerësimin e tij, ekspertiza ndërkombëtare e ofruar nga vetë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të vendit tonë është e vetmja mundësi në këto kushte, për të hedhur dritë në një rrugë ligjore që përndryshe mbetet plotësisht e errët dhe s’mund të çojë askund tjetër, përveçse në thellimin dramatik të krizës së zgjedhjeve, të drejtësisë e të vetë ekonomisë në Shqipëri. Të premten ishte Kolegji Zgjedhor, ai që vendosi rrëzimin e kërkesë-padisë së bërë nga Partia Socialiste, për shpalljen e pavlefshmërisë së vendimit numër 709, datë 23 maj 2011 të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Kryetari i trupit gjykues, Tom Ndreca lexoi vendimin e marrë nga Kolegji ndërsa deklaroi se pushohet edhe gjykimi i çështjes me kërkimin për anulimin e vendimeve të ndërmjetme nga pala e paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë, duke e çuar situatën paszgjedhore në një tjetër pikë. Bazuar mbi këtë vendimmarrje, mbetet në fuqi numërimi dhe tabela e miratuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, që e njeh kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Lulzim Basha, si fitues të garës për Bashkinë e Tiranës. D.M.