E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të vegjlit” e djathtë presion për kreun e qarkut

Aleatët e Partisë Demokratike në koalicionin “Aleanca për Qytetarin” kërkojnë të “shpërblehen” për votat e marra në zgjedhjet e 8 Majit

Partitë e vogla, që i përkasin spektrit të “Aleancës për Qytetarin” në Elbasan, janë duke bërë presion për të kapur poste të rëndësishme në këshillin e qarkut dhe në prefekturën e Elbasanit. Në zgjedhjet e 8 majit, disa prej tyre arritën rezultate mjaft të mira, si LSI, PDIU, PA, PAA etj. Kështu PDIU ka rritur ndjeshëm pretendimet për kreun e qarkut ose të prefekturës. Kryetari i kësaj force politike për Elbasanin, Ilirjan Sadiku u shpreh se “PDIU është partia që ka arritur të marrë dhjetëfishin e votave në zgjedhjet lokale në të gjithë qarkun, duke arshivuar kështu një kryetar bashkie në Librazhd e shumë këshilltarë në këshillat komunalë dhe bashkiakë”. Duke vazhduar më tej, ai ka shprehur qartë edhe ambiciet e PDIU në nivele të tjera. “Punësimet do të jenë prioritet në marrëveshjen me PD, duke theksuar se 20% i takon PDIU e përkthyer në 4 drejtori. Me 8200 votat e grumbulluara, ne kemi të drejtën morale që të kërkojmë këto poste, duke u mbështetur edhe në deklaratën e përbashkët të Kryeministrit Berisha, me kryetarin Shpëtim Idrizi, për të mos mënjanuar më komunitetin çam, i cili për hir të së vërtetës, deri më tani i ka pasur dyert e mbyllura në administratë në mjaft raste”. Ilirjan Sadiku u shpreh se PDIU prej shumë vitesh ka qenë faktor në Këshillin Bashkiak dhe ka të gjitha potencialet të shërbejë në institucione të rëndësishme. PDIU ka mundur të fitojë rreth 50 anëtarë në këshillat bashkiakë e komunalë në shkallë qarku dhe pretendon zgjerim të kësaj bashkëqeverisje, duke përfshirë edhe potencialet e saj, tashmë e konsoliduar dhe me një elektorat të rëndësishëm. Ndërkohë, edhe LSI në Elbasan arriti rezultate historike, duke fituar 4 njësi vendore e duke grumbulluar mbi 4000 vota, vetëm në Bashkinë e Elbasanit. Edhe PR grumbulloi mbi 2000 vota për bashkinë dhe i gjithë ky koalicion tashmë i bën presion PD-së për të kapur poste të rëndësishme në shkallë qarku. F.S.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›