PS-ja nis analizën për rezultatet e 8 Majit
Megjithëse procesi zgjedhor i 8 Majit nuk është certifikuar tërësisht nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe ku gara për Bashkinë e Tiranës mbetet ende e hapur, partitë politike kanë nxituar që të nisin analizat e tyre paszgjedhore. Kështu, kreu i LSI-së, Ilir Meta, prej ditësh ka nisur vetë një tur takimesh për të analizuar performancën e partisë që ai drejton, në zgjedhjet e fundit lokale, për të nxjerrë prej tyre përfundimet e nevojshme që mund t’i shërbejnë kësaj force për garat e ardhshme elektorale. Në një proces të tillë ka hyrë dhe PS-ja, megjithëse vëmendja e saj kryesore është përqendruar te beteja ligjore për Bashkinë e Tiranës. Burime nga selia rozë bëjnë të ditur se deputetët janë angazhuar dhe po drejtojnë një proces analize përsa i përket procesit të fundit zgjedhor. Pjesë e kësaj analize janë ballafaqimi i shifrave të këtyre zgjedhjeve me rezultatet e zgjedhjeve të shkuara lokale dhe atyre parlamentare. Analiza do të përqendrohet në çdo qendër votimi, për të parë nëse, në krahasim me zgjedhjet e shkuara që janë marrë për referencë, ka pas rritje apo ulje të mbështetjes së kësaj force në elektorat. Analiza kryesisht do të përqendrohet te rezultatet e proporcionalit, por pa lënë mënjanë edhe atë për mazhoritarin, pra për kandidatët për kryetar njësish. Natyrisht në shumicën e njësive analiza pritet të shoqërohet me debate për shkak se PS si subjekt politik, por edhe aleancë, pra si koalicion, ka humbur shumicën dërmuese të këshillave komunalë dhe bashkiakë. Për të gjitha këto njësi analiza edhe në bazë të statutit pritet të shoqërohet dhe me masa konkrete si për zëvendësimin e drejtuesve të organizatave dhe forumeve të tjera drejtuese të partisë në bazë, ashtu edhe për riorganizimin e punës për të evituar përsëritjen e situatave të tilla. Natyrisht, analiza më e thellë do të përfshijë Tiranën, ku PS-ja humbi shumicën e minibashkive, këshillin e madh bashkiak dhe është drejt humbjes edhe të kreut të bashkisë.