Tre vjet pa Vath Koreshin
Vath Koreshi, shkrimtari, skenaristi dhe publicisti i njohur ndërroi jetë tre vite më parë në moshën 70-vjeçare. Çastet e fundit të jetës i kaloi në një klinikë italiane, ku edhe kurohej për sëmundjen e zemrës. Humbja e tij ndodhi në një çast kur ai ishte më së shumti i pranishëm në jetën krijuese shqiptare. Kjo jo vetëm për sa i përket letërsisë, por edhe në projektet kinematografike. Vath Koreshi lindi në vitin 1936, në qytetin e Lushnjës. Në vitin 1955 përfundoi politeknikumin "7 Nëntori" në Tiranë, ndërsa në vitin 1960 kreu Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë pranë Universitetit të Tiranës, në degën e Gjuhës dhe Letërsisë. Ai është autor i shumë librave, ku veçohen një sërë vëllimesh me tregime, novela dhe romane. Por ai nuk do të kujtohet vetëm për krijimtarinë e tij të shumtë letrare. Shumë filma të suksesshëm dhe të pëlqyer për publikun shqiptar janë ndërtuar mbi skenarët e tij. Duke filluar që nga "Rrugë të bardha" (1974), "Liri a vdekje" (1978), "Nga mesi i errësirës" (1978), "Dasma e Sakos" (1998), "Porta Eva" (1999) dhe deri te filmi më i fundit "Syri Magjik", një bashkëpunim i 2005-ës me regjisorin Kujtim Çashku. Ky mbeti edhe suksesi i fundit që skenaristi arriti të përjetojë, për të cilin u vlerësua me çmimin e skenarit më të mirë në edicionin e 29-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Kajro. Romani i fundit të cilin arriti të botojë ishte "Çafka", i publikuar në nëntor të vitit 2006. Vath Koreshi është nderuar në vitet ‘80 me Çmimin e Republikës për librin "Dasma e Sakos" dhe për skenarin e filmit "Gjeneral Gramafoni", ndërsa një vit më parë, Këshilli i Qarkut të Fierit i dha titullin "Qytetar Nderi".