E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një alien në Nju Jork

Një rrëfenjë mes Tokës dhe qiellit, nën interpretimin e një komiku të pjekur dhe të matur, që na bën të qeshim dhe ta duam. Quhet Edi Mërfi. Çdo herë që del në ekran ose në skenë, qoftë me zë, apo me fytyrën e tij, spektatorët nuk mund të rrinë pa shpërthyer në të qeshura. Polic në Beverli Hills, vampir në Bruklin apo alien në Nju Jork, ylli i "zi" i Hollivudit ka lënë shenjën e ilaritetit me dinjitet në çdo rol që ka interpretuar. Nga Hollivudi, në kinema "Millenium" vjen një tjetër film që propozon një formë të pazakontë të alienëve. Bëhet fjalë për filmin "Meet Dave" ("Njihuni me Dejvin"). Duke nisur nga data 4 shkurt, do të nisë të shfaqet humori amerikan, i cili ka për protagonist aktorin Edi Mërfi. Në filmin e drejtuar nga Brajan Robins, alienët nuk janë gjë tjetër veçse disa qenie të vogla të ngjashme me liliputët tek "Udhëtimet e Guliverit", shumë të ngjashëm me njerëzit, por edhe më të zhvilluar se ne. Ata mbërrijnë në Tokë, pasi kanë ndërtuar një anije në formën e Edi Mërfit. Nëpërmjet kësaj anijeje me emrin "Dave Ming Chang", kapiteni i saj, i interpretuar sërish nga Edi Mërfi, do të arrijë në Tokë, për të eksploruar një botë të re, të mbushur me ndjenja të panjohura nga raca e tij, e njëra prej tyre është dashuria. Te "Meet Dave", alientë vijnë në paqe, duke i dhënë jetë një filmi që është njëkohësisht aventurë klasike, komedi sentimentale, rrëfim personal dhe kolektiv. Sjellja paqësore e alienëve të udhëhequr nga kapiteni filantrop Edi Mërfi, frymëzon një botë fantastike, optimiste dhe diellore. Një rrëfenjë mes Tokës dhe qiellit nën interpretimin e një komiku të pjekur dhe të matur, që na bën të qeshim dhe ta duam.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›