E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kujtohet 7 Prilli Dako e Xhaferraj shtrengojne duart

Drejtues të pushtetit vendor, përfaqësues të forcave politike dhe veteranë të luftës në Durrës kanë marrë pjesë në përkujtimin e 72-vjetorit të rezistencës antifashiste të 7 prillit.

Përpara monumentit të heroit të popullit Mujo Ulqinaku, të pranishmit kanë vendosur kurora me lule, ndërkohë që kjo ditë ka sjellë pranë njëri-tjetrit dy kandidatët për kryetarë bashkie të Durrësit, Ferdinand Xhaferraj dhe Vangjush Dako, të cilët kanë shtrënguar duart para fillimit të ceremonisë.

Në fjalën e rastit, kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako ka vlerësuar kontributin që kanë dhënë durrsakët dhe shqiptarët në 7 prill 1939.

“Është një mesazh i trashëguar nga ata që dhanë jetën më 7 prill, ku u bashkuan të gjithë për mbrojtjen e qytetit, i majtë e i djathtë, të gjithë në mbrojtje të Durrësit. Kështu që, edhe ne nuk po bëjmë ndonjë gjë të re, por normalen, dhe mendojmë që e gjithë fushata të jetë e qetë, me ballafaqime idesh dhe jo me ashpërsi dhe akuza ndaj njëri-tjetrit”- tha kandidati i socialistëve, Vangjush Dako.

Edhe kandidati demokrat për bashkinë e Durrësit, Ferdinand Xhaferraj duke vlerësuar të rënët në këtë ditë ka theksuar se gara e zgjedhjeve do të jetë një fushatë për përplasje idesh dhe programesh.

“Ishim bashkë për të shprehur respektin për ata që dhanë jetën për lirimin e vendit, në këtë qytet ku nisi rezistenca ndaj pushtimit fashist”- tha kandidati demokrat, Xhaferraj.

Qyteti i Durrësit ishte i pari që u përball me pushtimin fashit në 7 prill 1939.

Aleks Kalemasi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›