E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qeverisja PD-PS, ëndërr dhe... mundësi

Ka më shumë gjasa që zgjedhjet e 23 qershorit të përfundojnë si ato të vitit 2009, me një rezultat të ngushtë mes palës fi tuese dhe asaj humbëse, pra pa shumicë të cilësuar për asnjërën. Kjo nënkupton dhe paralajmëron se 4 vitet e ardhshme do të jenë në mos tërësisht, gati njësoj si katër vitet e mandatit 2009-2013. Pra, do të vazhdojnë stabiliteti i brishtë politik, kontestimi i rezultatit, protestat brenda dhe jashtë parlamentit, pazaret me deputetë dhe kartonë, kalimet e të majtëve në krahun e djathtë dhe anasjelltas, bojkotimi dhe bllokimi i projekt-ligjeve, projekt-reformave, projekt-privatizimeve të mëdha...
Merren me mend rrjedhojat politike, ekonomike e sociale, që bashkë me ndikimet më të forta të krizës ekonomiko-financiare botërore, ashtu si edhe më parë, do të bien përgjithësisht mbi kurriz të qytetarëve. Për të shmangur apo parandaluar këtë mundësi apo këtë rrezik, përveç alternativës shumë teorike dhe pak të mundshme të një fitoreje të thellë apo plebishitare të njërit koalicion, ekziston edhe alternativa e koalicionit mes dy partive kryesore politike në vend, PD-së dhe PS-së. Tani për tani apo sot për sot kjo duket dhe mund të merret si një ëndërr. Por, as nuk mund të thuhet kategorikisht dhe përfundimisht se i ka të mbyllura të gjitha dyert si mundësi, aq më tepër që nuk po duket në horizontin e politikës sonë një pol i tretë, që të prishë alternimin në pushtet mes dy partive më të mëdha. Natyrisht, nuk do të jemi as të parët dhe as të fundit. Kjo është një dukuri dhe përvojë e zbatuar prej shumë dekadash më parë në disa vende të botës, më së shumti në ato të Evropës Perëndimore. Aktualisht, fare afër vendit tonë, qeveri të përbashkëta mes partive të djathta e të majta ka në Greqi dhe Itali. Edhe tek ne, në mandatin 2009-2013 kishte një qeveri koalicioni mes partive të së djathtës me një parti të majtë, si LSI.
Është e pritshme dhe e kuptueshme që hedhja e kësaj ideje mund të pritet me paragjykime dhe kundërshtime nga forca politike të të gjithë spektrit. Sidomos nga militantë të të dyja partive mund të shikohet dhe anatemohet si herezi. Ndër kundërshtarët më të flaktë mund të jenë disa politikanë të lartë të PD-së dhe të PS-së, që janë ndjerë më të kënaqur dhe më të fituar me stabilitetin e brishtë politik, social dhe ekonomik, si dhe me shtetin ligjor anemik në vend, çka u ka mundësuar pasjen në tavolinën e vet të një pjese jo të vogël të tortës së pushtetit apo të privilegjeve.
Pas tyre mund të protestojnë dhe ankohen për persekutim apo diskriminim të partive të tyre të vogla liderë dhe përfaqësues të tjerë të lartë të tyre, që mund të bashkohen për të mos lejuar lindjen e kësaj foshnjeje “laboratori”. Të tjerë mund t’i mbështesin kundërshtimet e tyre duke kujtuar historinë: 22 vjet armiqësi dhe konfliktualitet; fatin e jetëshkurtrës Qeveri e Stabilitetit, e kryesuar nga Ylli Bufi, (11 qershor 1991 – 6 dhjetor 1991), pasjen mes tyre të ngjarjeve të përgjakshme si 1997-ta, 12-14 shtatori 1998, tragjedia e Gërdecit, demonstrata e 21 janarit 2011, sherret me grushte e shkelma në sallën e parlamentit dhe para kamerave televizive, jehonën akoma të fortë të fyerjeve përtej kufijve të edukatës, moralit dhe të mbrojtjes nga ligji...
Mundësia e një qeverie koalicioni mes dy “armikeve” të vjetra, PD-së dhe PS-së mund të merret në konsideratë edhe nga fakti se të dyja forcat, nga krijimi dhe deri më sot, pas rreth 22 vitesh kanë evoluar edhe në identitet apo në gjene. PD-ja sidomos pas 1997-ës dhe më 2003-2004 pati prurje të ndjeshme nga shoqëria civile dhe nga masa e asnjanësve në anëtarësi, në elektorat dhe në strukturat e saj drejtuese. Disa prej tyre, së pari falë meritave dhe vlerave individuale dhe së dyti, falë fatit, bënë karrierë dhe zunë poste të larta në kryesinë e partisë, në qeveritë e saj dhe dikasteret e tyre. Disa të tjerë mbetën “mish i huaj”, nuk mundën të përballonin gjatë bashkëjetesën me kontingjente gjenetike, të zinin dhe mbanin një post të mirë dhe u larguan ose nga kishin ardhur, ose jashtë vendit. Katër vitet e koalicionit me LSI-në si dhe përfshirja në pranverë 2013, në listën e kandidatëve për deputetë të Kastriot Islamit, Asllan Dogjanit, Gjovalin Kadelit e bënë edhe më liberal imazhin e PD-së.
PS-ja, sidomos gjatë këtyre 10 viteve të fundit, për meritë ekskluzive, lidhje shoqërore apo llogari pragmatiste dhe aspak idealiste të kryetarit Edi Rama ka pësuar erozion shumë më të gjerë e më të ndjeshëm në identitet dhe përbërje, sidomos në majën e piramidës së saj. PS-ja e sotme është bërë parti e bosëve të kompanive më të mëdha të biznesit dhe të ndërtimit në vend, parti e miliarderëve, e klanit Rama, e një kaste politikanësh që mendojnë dhe janë të përkushtuar thuajse tërësisht ndaj përfitimeve të tyre individuale, familjare dhe shoqërore, me çdo rrugë e formë. Tani ajo ka braktisur një nga flamurët e saj më identifikues, më sensibilizues dhe më votambledhës, atë të politikës sociale, që ia ka lënë në derë PD-së.
Argumentet që dhamë më sipër, duke u shtuar edhe aktet e rralla të konsensusit e të marrëveshjeve, mbështesin idenë se dy partitë kryesore të politikës shqiptare, edhe pse zakonisht në sallën e parlamentit dukeshin shumë të largëta dhe armiqësore, si pa e kuptuar e pa e ndjerë ose si duke u shtyrë nga një “forcë e padukshme” janë ofruar ndaj njëra-tjetrës. Rezultati i ngushtë i zgjedhjeve mund të jetë një apel i ri apo të shërbejë si një shtysë e re për të realizuar “kompromisin historik”, qeverinë e koalicionit PD-PS apo PS-PD. Kam bindjen se, ashtu si në rastin e Qeverisë së Stabilitetit, të kryesuar nga Ylli Bufi, që mbijetoi me “frymëmarrje artificiale” vetëm 5 muaj, do të jetë përsëri PD-ja, me shanse më të mëdha për fitore, ajo që do të sakrifikojë më shumë, në emër të interesave madhorë të vendit, popullit dhe kombit.
Natyrisht, kjo lloj qeverisjeje mbart me vete disa të mira dhe disa të këqija, disa avantazhe dhe disa rreziqe. E fillojmë me të mirat dhe avantazhet. Ulet ndjeshëm fryma konfliktuale në parlament, tek grupet e deputetëve dhe jashtë parlamentit, në masat e anëtarësive dhe të zgjedhësve. Këtyre të fundit, sidomos militantëve, u kursehet kohë, zë dhe energji, që humbin nëpër mitingje dhe debate shoqërore e familjare, nëpër rrugë, lokale, zyra, në rërën e detit... I hapet rruga kultivimit të psikologjisë, edukatës dhe traditës së konsensusit, kompromisit, marrëveshjeve dhe bashkëpunimit, sidomos për çështje madhore, me interes mbarëqytetar e mbarëkombëtar. Vetëkuptohet se njëherazi me këtë, i mbyllet rruga psikologjisë dhe praktikës së bojkotimit dhe bllokimit të projekt-ligjeve dhe të projekt-vendimeve me interes dhe në dobi të të gjithë popullit dhe vendit. Kështu, nëpërmjet angazhimit dhe përpjekjeve të dy palëve për përshpejtimin e procesit të integrimit, plotësohen më shpejt dhe më mirë të gjitha kushtet për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtar në BE dhe për hapa të tjerë të rëndësishëm në të ardhmen. Këto krijojnë siguri për shtimin e ndjeshëm të investimeve të huaja dhe të masave të turistëve nga vende të ndryshme të botës.
Qeverisja e përbashkët do t’u krijojë mundësi zgjedhësve dhe të gjithë qytetarëve të shohin dhe binden se cila parti ka qenë më e përgjegjshme dhe më kërkuese për përzgjedhjen e ministrave, në aspektin e meritokracisë dhe të aftësive reale drejtuese, konstruktive. Pra, do të jetë një përballje partish se cila do të ketë ministrat më të aftë, më të suksesshëm, më të pastër nga pluhurat dhe njollat e korrupsionit, më rezistentë ndaj zarfeve gjatë tenderëve si dhe ndaj provokimeve nga minifundet, buzëqeshjet dhe ledhet e sekretareve të bukura. Gjithashtu, qytetarët do të kenë mundësi të shohin dhe binden se cila parti do të jetë më e përgjegjshme dhe më e përkushtuar për realizimin e premtimeve elektorale.
Edhe të këqijat e rreziqet mund të jenë të bollshme. Si e keqja e parë mund të vlerësohet mbetja e politikës shqiptare me një opozitë të dobët, e përbërë nga parti të vogla, shumica të papërfaqësuara në parlament, qoftë edhe me 1-2 deputetë. Por, ka edhe periudha, kur për një vend është më e pranueshme një opozitë e dobët se sa e fortë, përgjithësisht destruktive, nihiliste, kundërshtuese, bllokuese. Nga ana tjetër, forca e opozicionit mund të shtohet nga rritja e fuqisë reaguese dhe goditëse të opinionit shoqëror dhe mediatik. Gjithashtu, ka mundësi dhe rrezik që të dyja partitë të mos jenë të sinqerta e ta tradhtojnë njëra-tjetrën, që të mendojnë dhe përpiqen si të përfitojnë më shumë për veten dhe si ta pengojnë më tepër tjetrën, duke i hapur telashe dhe duke i vënë gurë e drurë nën rrota. Nuk mund të përjashtohet kategorikisht edhe mundësia e rreziku që bashkëjetesa të shndërrohet në një garë të pashpallur se cila të vërë më shumë në poste me përfitime të mëdha njerëz besnikë të partisë, të përfitojë më shumë kapital politik, financiar dhe propagandistik në dikasteret e veta, duke lënë në plan të dytë apo të tretë cilësinë, efektivitetin, dobinë e përgjithshme, konstruktivitetin e punëve e të veprave. Pra, nuk mund të përjashtohet edhe mundësia që qeveria e koalicionit PD-PS ose PS-PD të jetë një dështim dhe zhgënjim i plotë e një eksperiment i kotë.
Megjithatë, në kushtet e krizës së përbotshme dhe të rrjedhojave të saj të ndjeshme, me tendencë shtrirjeje dhe rëndimi, edhe në vendin tonë mund të justifikohet edhe realizimi i një ëndrre apo kryerja e një eksperimenti. Sepse jo të gjitha ëndrrat, sidomos në politikë, mbeten gjithmonë të tilla. Mund të kujtojmë nga historia e politikës shqiptare të këtyre 22 viteve vetëm dy raste. Më 1992-1993 dukej ëndërr pajtimi Berisha-Nano dhe në nëntor 2000 dukej po kështu ëndërr edhe koalicioni dhe bashkëjetesa në një qeveri Berisha-Meta. Rasti i tretë mund të mos jetë Berisha-Rama, por përsëri Berisha-Meta. Këtë herë Ilir Meta jo si lider i LSI-së, por i PS-së së rilindur, pas largimit me humbje dhe me dorëheqje të Edi Ramës. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›