Kukan: EULEX ka nisur hetimet për incidentin në Jarinje

Shefi i delegacionit të Parlamentit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan ka deklaruar se EULEX-i tashmë ka nisur hetimet lidhur me incidentet e fundit në veri të Kosovës dhe se duhet të sjellë para drejtësisë të gjithë ata persona që kanë përdorur dhunë ndaj KFOR-it.
Serbët të martën e kaluar kanë sulmuar KFOR-in në veri, duke plagosur të paktën katër pjesëtarë të këtij misioni paqeruajtës në Kosovë.
Duke folur për mediat e huaja, Kukan ka thënë se incidente të tilla nuk i kontribuojnë zgjidhjes së problemit.
“EULEX-i ka nisur hetimet lidhur me atë se çfarë ka ndodhur të martën, më 27 shtator dhe konsideron se dihet sjellë para drejtësisë të gjithë ata që kanë bërë dhunë ndaj KFOR-it”, ka thënë Kukan.
Duke përkujtuar se incidente ose dhuna në veri të Kosovës nuk iu ndihmon njerëzve për një jetë më të mirë, Kukan ka theksuar se për këtë arsye BE-ja ka nisur dialogun për zgjidhjen e problemeve jetësore.
“Në vend të kësaj shohim njerëz në barrikada dhe sulme ndaj KFOR-it, gjë e cila është e papranueshme”, ka konstatuar Kukan.
Ndryshe, serbët kanë sulmuar KFOR-in me gurë dhe granata të martën e kaluar, duke plagosur katër ushtarë.
Sulmi ndaj KFOR-it ka ardhur pas takimit në mes të krerëve të strukturave paralele në veri të Kosovës me radikalin serb Tomisllav Nikoliq dhe njërin nga përfaqësuesit e lartë të ushtrisë së Serbisë, që është mbajtur të dielën në Beograd.