U përurua Qendra moderne për shërbim të qytetarëve

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës dhe një delegacion i USAID-it i udhëhequr nga u. d. drejtoresha, Azza El Adb, kanë përuruar të premten Qendrën për Shërbim të Qytetarëve dhe Bizneseve, e cila do të jetë në shërbim të qytetarëve që i drejtohen komunës.
Kryetari i Komunës, Avni Kastrati vlerësoi se ky është një projekt shumë i rëndësishëm që lehtëson procedurat për kërkesat e qytetarëve në komunë.
“Qytetarët kanë në dispozicion në një zyre të vetme zyrtarë komunalë që mbulojnë të gjitha drejtoritë komunale. Të gjitha shërbimet mund t’i kryejnë në këtë vend pas pasur nevojë që të lëvizin nëpër zyrat tjera”, ka thënë ai.
Ndërsa drejtori i Administratës, Abdullah Bejtullahu, ka sqaruar se përveç Qendrës për shërbim të qytetarëve dhe bizneseve, ku palëve do t’u ofrohen të gjitha shërbimet për kërkesat e tyre në lidhje me komunën, sqaroi edhe për mundësitë tjera që ofrohen aty.
Ai ka thënë se në një monitor të vendosur në hollin e komunës, qytetarët mund të aplikojnë online për dokumente të ndryshme (me prekje/ tooch screen monitor).
“Në hollin e komunës gjendet edhe një monitor tjetër ku editohen informata të ndryshme për aktivitetet komunale. Aty përveç angazhimeve të kryetarit të komunës, editohen edhe informatat për projektet që realizohen, mandej paralajmërimet, njoftimet etj”, ka thënë Bejtullahu.
Ndërsa u.d. e drejtorit të USAID-it në Kosovë, Azza El Adb, ka shprehur kënaqësinë për realizimin e këtij projekti duke e cilësuar si një qendër moderne në shërbim të qytetarëve.
Sipas saj, qëllimi i projektit është që të rrisë transparencën e institucioneve ndaj qytetarëve, duke krijuar partneritet të ngushtë mes komunës dhe qytetarëve, ndërtimin e besimit në mes të komunës dhe qytetarëve dhe rritjen e përgjithshme të efikasitetit në ofrimin e shërbimeve.
Realizimi i këtij projekti për Qendrën për Shërbim të qytetarëve dhe bizneseve ka kushtuar rreth 15 mijë euro, prej të cilave 11 mijë euro janë siguruar nga USAID-DEMI, ndërsa të tjerat nga buxheti komunal.