E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukan e Swoboda letër Berishës e Ramës

Në letër, vlerësohet marrëveshja e arritur së fundi midis dy partive më të mëdha politike për të bashkëpunuar për reformat.

“Marrëveshja e fundit midis palëve tuaja për të rifilluar punën tuaj të rregullt parlamentare është një hap i shumëpritur drejt normalizimit të klimës politike në Shqipëri. Ne i mirëpresim këto zhvillime sepse ato sinjalizojnë gaditshmërinë për të kaluar në një epokë të re bashkëpunimi. Ne i konsiderojmë këto marrëveshje, të konfirmuara nga Parlamenti, si një përgjigje politike për sfidat e mëdha përpara. Ky përparim nuk mund të kishte ardhur në një kohë më të mirë për vendin dhe rajonin. Tani, momenti duhet shfrytëzuar për të ndërmarrë masa politike që të jenë largpamëse, vendimtare dhe konstruktive për të siguruar një perspektivë të qartë për qytetarët. Shqipëria nuk duhet ta humbasë këtë mundësi”, thuhet në letër.

Ata kërkojnë gjithashtu që palët të bashkëpunojnë më tej për reformat.  "Ne dëshirojmë t'ju inkurajojmë që të bashkoni forcat për përparimin e mëtejshëm të reformave lidhur me BE-në, në të njëjtën frymë pajtimi dhe pragmatizmi. Ne jemi të kënaqur të shohim se ju keni njohur si një prioritet kombëtar zbatimin e dymbëdhjetë prioriteteve kyçe të Opinionit të Komisionit të Evropian mbi aplikimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Ne gjithashtu besojmë fuqishëm se ka një mundësi tani për zbatimin e reformave të rëndësishme në lidhje me sundimin e ligjit dhe të të drejtave të njeriut, veçanërisht për reformën e gjyqësorit, luftën me efikasitet kundër korrupsionit dhe krimi të organizuar, dhe për të siguruar trajtimin jo-diskriminues dhe të barabartë të të gjithë qytetarëve", theksojnë Kukan dhe Swoboda. Letra vjen në një kohë që pritet të zhvillohet takimi i Komitetit Parlamentar të Stabilizim dhe Asociimi në Tiranë, e parashikuar për më 9 dhjetor. /Start/

                                                                                             2011-12-01 08:24
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›