E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kukës/ Arsenal armësh dhe municion luftarak që nga 1997, nën hetim 65-vjeçari

Policia ka vënë nën hetim një 65-vjeçar, i cili ka dorëzuar në Policinë e Kukësit një arsenal armësh dhe municioni luftarak të përvetësuar gjatë vitit 1997, të cilat i mbante të fshehura në banesë.

Arma e zjarrit është dërguar për ekzaminime në Institutin e Policisë Shencore për të verifikuar nëse është përdorur për ngjarje kriminale.

Arsenali i dorëzuar përbëhet nga 1 kallashnikov, 3 pistoleta, 3 granata defensive, 1 300 fishekë pistolete, rreth 2 500 fishekë kallashnikovi, 7 krehra armësh dhe 4 ndezësa të unifikuar.

“Në kuadër të sensibilizimit mbi rrezikun që sjell mbajtja pa leje e armëve të zjarrit, dhe për penalitetet e ashpra që parashikon Kodi Penal i vendit tonë, për këtë veprimtari kriminale, shtetasi Rr. B., 65 vjeç, ka njoftuar shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës, për një rast të tillë, dhe shërbimet kanë shkuar menjëherë në banesën e tij, në fshatin Bicaj.

65-vjeçari iu ka dorëzuar shërbimeve të Policisë, një arsenal armësh dhe municioni luftarak, të përvetësuar gjatë vitit 1997, të cilin ky shtetas e mbante të fshehur në banesën e tij,” njofton Policia.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›