Kryetari i minibashkisë nr. 3 të Tiranës, vuan pasojat e largimit nga PS te PS ‘91

Konsumimi i hakmarrjes politike të Edi Ramës ndaj Ilir Kokonës
Katër ditë më parë, kryetari i njësisë bashkiake nr. 3 në Tiranë, Ilir Kokona, u gjend i rrethuar në banesën e tij nga forcat e Policisë Bashkiake të Tiranës dhe Ndërtimores, me pretendimin se banesa e tij aktuale ishte një ndërtim pa leje dhe se për këtë duhet shembur edhe pse ndërtesa ashtu si shumë në proces legalizimi shprehet se më parë ishte kërcënuar nga Edi Rama.
Vetë Kokona deklaroi se ky akt ka pasur prapavija të qarta politike për shkak se vjen vetëm pak kohë pas largimit të tij nga Partia Socialiste e drejtuar nga Edi Rama, duke iu bashkuar projektit të ri të nanoistëve pagëzuar me emrin PS ’91.
Kreu i njësisë bashkiake nr. 3, është njoftuar fillimisht me telefon rreth orës 14.00 të ditës së diel nga i ati i tij, Muharrem Kokona se disa fugonat të policisë bashkiake kishin rrethuar godinën. Kur Kokona i ka kërkuar një dokument zyrtar se ku bazohej aksion i prishjes së shtëpisë së tij, ata iu përgjigjën: nuk kemi asnjë shkresë dhe nuk të japim llogari ty.
Tentativat e tij për të kontaktuar në telefon me Ramën kanë qenë të kota ndërsa, fugonat e Policisë Bashkiake kanë pasur nën rrethim ndërtesën deri mëngjesin e ditës së hënë. Madje Kokona është shprehur gjithashtu se ditën që zyrtarisht u shkëput nga PS-ja, ka takuar kryesocialistin Rama që e ka kërcënuar hapur këtë lëvizje.
“Pasi më dëgjoi të gjitha arsyet pse unë largohesha nga PS-ja, më tha, ‘Mendohu mirë!’ ‘Jam menduar i thashë’. ‘Do pendohesh, do kesh pasoja, do të shkatërroj!’, më tha. Në ato momente ai ishte shpërfytyruar, ndërsa unë nuk ia mora shumë për bazë këtë kërcënim. Më pas ca miqtë e tij, që ai i mban si Man Kukaleshi nëpër bashki, erdhën më takuan dhe më bënë presione që unë të tërhiqesha, duke më kujtuar familjen, fëmijët etj. Edhe këta nuk i mora për bazë. Pastaj ndodhi kjo që ishte një akt fashist”, deklaroi Kokona pas këtij incidenti.
Në bazë të dokumenteve që disponon familja Kokon, ndërtesa trekatëshe është hipotekuar që në vitin 2000. Sipas vërtetimit hipotekor, kjo pasuri e ndodhur në zonën kadastrale 8140 mban numrin 3/279.
Petrit Vasili i LSI-së: Edi Rama dhunues i Kushtetutës, medias dhe fjalës së lirë”
Lëvizja Socialiste për Integrim ka reaguar dje ndaj hakmarrjes politike të Edi Ramës me anë të Policisë Bashkiake ndaj “dezertorit” Ilir Kokona.
Sekretari i Përgjithshëm i LSI, Petrit Vasili, tha dje se Edi Rama ka vënë në funksion të hakmarrjes së tij politike pushtetin bashkiak, duke dhunuar e abuzuar me pronën, ligjet dhe jetën e njerëzve vetëm e vetëm se, “Kryetari i njësisë bashkiake nr. 3 si dhe mijëra socialistë të tjerë nuk mendojnë si ai dhe ka bërë zgjedhjen e tij politike. Ky njeri që drejton sot bashkinë e Tiranës dhe PS-në e mbetur është një rrezik shumë i madh për të majtën dhe të majtët, sepse ai u kërkon atyre të manipulojnë votat dhe shiten për interesat e tij, i dhunon, i përzë, u mbyll gojën dhe i trajton më me egërsi dhe mllef, më keq se Berisha vetë. Ky kryetar bashkie dhe kryetar i PS është për sot dhe nesër një rrezik evident dhe i madh për demokracinë, sepse me mentalitetin e tij dhunues të drejtimit dhe sjelljes politike kërcënon, shkatërron pronën dhe individin dhe identifikon pushtetin e zgjedhësve me vetveten duke abuzuar e sjellë me shtetin dhe pushtetin si një Berishë i vërtetë më shumë edhe se Berisha vetë. Dhuna dhe shantazhi edhe ndaj medias dhe fjalës së lirë të denoncuara publikisht edhe nga shumë gazetarë dhe drejtues të njohur të medias, të ndërmarra gjerësisht dhe në mënyrë të paskrupullt nga Rama, në kushtet e panikut, konfuzionit, kapjes së plotë, si dhe të zhgënjimit masiv të socialistëve e bëjnë atë që të sillet me ta më Berishë se Berisha vetë”, deklaroi Vasili.
Sipas tij, ndryshimet e fundit në Kushtetutë në 21 prillin e shkuar, ishin fillimi i luftës së hapur të Ramës me shtetin ligjor dhe me socialistët “historia e të cilëve është një ankth i madh dhe i pashërueshëm i tij, me objektivin e vetëm uzurpimin e të drejtave të qytetarëve duke i trajtuar ata si qenie njerëzore pa të drejta, të denja për tu shtypur e dhunuar. Edi Rama me paratë e taksapaguesve shqiptarë, pasi betonizoi dhe asgjësoi gjelbërimin në mënyrë të frikshme dhe vrasëse ne Tiranë, nxjerr spote për gjelbërimin imagjinar, duke u sjellë më Berishë se Berisha vetë. LSI denoncon ashpër këtë mentalitet dhunues të Edi Ramës, që ju ka ardhur ne majë të hundës banorëve të kryeqytetit dhe veçanërisht socialistëve, të këtij dhunuesi të Kushtetutës, këtij dhunuesi të medias, të mendimit të lirë brenda PS, këtij dhunuesi të pronave të qytetarëve, dhunuesi të hapësirave të gjelbra, dhunuesi të klubeve të terreneve sportive dhe i bën thirrje ti thërrasë mendjes përpara se të jetë shumë vonë”- konkludoi Vasili.
...