E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës-Morin, dublimi i urave përfundon në janar të 2011-s

Rruga Durrës-Kukës nuk është vetëm pjesa Rrëshen-Kalimash, aq e përfolur për koston e lartë, dyshimet mbi kontratën etj. Konkretizimi i projektit për t‘u lidhur më shpejt me Kosovën ishte fillimi i punimeve Kukës-Morin, aksi i vetëm në të cilën kanë punuar firmat shqiptare, pjesëmarrëse në tender. Pas shumë debate për gjerësinë e rrugës, qeveria vendosi zgjerimin e saj, në përputhje me linjat e Rrëshen-Kalimash, që është me 4 korsi. Sikurse mësohet nga Drejtoria e Përgjithshme e Rrugëve, në muajin korrik 2009 u zhvillua tenderi me vlerë rreth 10 milionë dollarë, ku fitues u shpall një bashkim firmash shqiptaro-sllovene. I gjithë procesi i punës lidhet me dublimin e urave, pjesa e Lotit II në aksin e Morinit, për shkak se qeveria vendosi zgjerimin e rrugës me katër korsi.

Dy urat (243 dhe 400 metra) që do të zgjerohen ndodhen në një terren të vështirë, kryesisht kodrinor dhe malor, në kuotat 353 metra mbi nivelin e detit.

Ura më e madhe në segmentin Kukës-Morin është ajo pranë ish-uzinës së bakrit në Rexhepaj, rreth 400 metra e gjatë dhe 50 metra e lartë. Sipas kontratës të lidhur në muajt e fundit, punimet duhet të përfundojnë brenda 18 muajve, që përkojnë me janarin e vitit 2011. Deri tani është ngritur kantieri, kryesisht zyra, spostim dhe ndërtim linjash elektrike, si dhe kanë nisur disa gërmime në lumin Luma. Specialistët e firmës ndërtuese janë duke pritur analizat e karrierave, ku do të merret materiali bazë për prodhimin e betonit, si dhe certifikatat e cilësisë.

Për vitin që vjen, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit ka planifikuar rreth 2 milionë dollarë fonde vetëm pjesën e Lotit II, ku janë dy urat, përfshi dhe fonde të tjera shtesë, kurse për të gjithë aksin Kukës-Morin janë planifikuar rreth 12 milionë dollarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›