Krimet e Rënda kërkojnë burg përjetë për vrasësin e dy policëve
Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin maksimal për Afrim Hasanajn, i akuzuar për vrasjen e dy punonjësve të policisë në Kukës, Ramadan Hila dhe Shkëlzen Dobrusha. Prokurori Ardian Nezha, duke lexuar konkluzionet përfundimtare, kërkoi në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, burgim të përjetshëm, duke saktësuar se vrasja ka qenë e paramenduar dhe me një qëllim. Gjatë seancës së djeshme gjyqësore në sallën e gjyqit mungonte i akuzuari Afrim Hasani, i cili përfaqësohej nga avokati ndërsa ishin të pranishëm dhe 2 familjarë të tij. Prokuroria pretendoi se nga të gjitha provat e mbledhura rezulton se 34-vjeçari Hasanaj është autor i vrasjes me paramendim të dy efektivave të policisë. Ngjarja ndodhi pas një konflikti të lindur midis autorit dhe dy punonjësve të policisë, pasi ata e kishin kallëzuar Hasanajn, person me precedentë të mëparshëm penalë, në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Kukës për kundërshtim të punonjësve të policisë dhe shkatërrim të pronës së tjetrit. 2 inspektorët e policisë u qëlluan me breshëri automatiku, ndërsa ata ndodheshin në një lokal në fshatin ShënMëri. Pas krimit, autori u fsheh në një pyll pranë fshatit të tij, ku u gjet pas disa orë kërkimesh, ndërsa gjatë arratisë komunikonte me kunatin e bashkëshortes duke kërkuar që t‘i rriste dy fëmijët. Ai do të deklaronte gjatë seancave gjyqësore se ishte penduar për ngjarjen e rëndë dhe para trupit gjyqësor kërkoi mëshirë. Gjykata pranoi "faljen" dhe filloi gjykimin e shkurtuar, duke paraqitur në seancë vetëm disa dëshmitarë okularë. Në fund, prokurori, me gjithë gjykimin e shkurtuar, tha se ngjarja është shumë e rëndë dhe pavarësisht rrethanave të ligjit, kërkoi dënimin me burg të përjetshëm. Seancën e radhës, avokati i Hasanajt do të parashtrojë para trupit gjykues konkluzionet përfundimtare dhe pritet që të kërkojë uljen e 1/3 e dënimit.