E Diel, 1 Nëntor 2026

Masakrohen në shtëpi kambisti dhe gruaja

Për pak sa nuk ka përfunduar në tragjedi "aksioni" i dy personave të maskuar dhe të armatosur me automatikë në shtëpinë e një kambisti në Përrenjas. Pasi kanë lidhur bashkëshorten e tij, duke i mbyllur edhe gojën, në pamundësi për të gjetur paratë, ata kanë masakruar bashkëshortët Astrit dhe Lirika Rrushi, të cilët kanë përfunduar mbrëmë rreth orës 20:30 në Spitalin Ushtarak të kryeqytetit.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 19:30 të mbrëmjes së djeshme në një lagje në qendër të qytetit të Përrenjasit. Dy persona të maskuar dhe të armatosur me armë automatike kanë hyrë më forcë në banesën e 49-vjeçarit Astrit Rrushi. Sipas burimeve nga vendi i ngjarjes, sapo kanë shpërthyer derën më forcë ata kanë nisur terrorin psikologjik dhe fizik ndaj tërë anëtarëve të kësaj familjeje për t‘i detyruar të tregonin se ku i kishin fshehur paratë. Dy personat e maskuar kishin dijeni se kryefamiljari 49-vjeçar merrej më këmbim valutor, ndaj i kanë kërkuar atij që në fillim të tregonte vendin e fshehjes së parave në shtëpinë e tij.
Duke mos marrë një përgjigje nga 49-vjeçari, dy personat me maska kanë marrë me forcë bashkëshorten e tij, 45-vjeçaren Lirika Rrushi, dhe e kanë e kanë lidhur në sy të bashkëshortit të saj brenda në banesë. Më pas, që të mos dëgjohej zhurma nga jashtë, ata ia kanë mbyllur gojën me ngjitëse plastike e më pas kanë filluar ta godasin me bajonetën e armës automatike bashkëshortin e saj.
Pasi kanë kontrolluar banesën dhe nuk kanë mundur të gjejnë asnjë gjë, para se të largohen dy personat me maska kanë goditur po me bajonetën e armës disa herë edhe gruan e kambistit, Lirika Rrushi, duke e lënë pa ndjenja dhe me gojë të mbyllur. Nga zhurma e bërë në banesë dhe thirrjet për ndihmë të 49-vjeçarit Astrit Rrushi, janë gjendur në banesën e tyre fqinjët, të cilët kanë lajmëruar në çast në rajonin e policisë, ku ka mbërritur në pak minuta një skuadër policësh.
Pasi kanë marrë ndihmën e parë mjekësore në spitalin e Përrenjasit, mjekët e qytetit nuk kanë dhënë siguri për jetën e çiftit, ndaj dhe i kanë dërguar me ambulancën e spitalit të rrethit të Librazhdit drejt Spitalit Ushtarak të Tiranës.
Policia menjëherë ka nisur hetimet dhe ka shoqëruar pesë persona si të dyshuarit kryesorë të kësaj ngjarjeje. Të shoqëruarit janë banorë të lagjes ku banonte çifti i masakruar. Policia nuk ka mundur deri mbrëmë vonë të përcaktojë autorët e krimit të rëndë dhe po punon për identifikimin dhe kapjen e tyre.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›