E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, ekzekutimi i sekretarit të komunës, ngujohen dy fise

KUKES - Ngujohen në shtëpitë e tyre familjarët e fisit Kastrati dhe Murriqi, përkatësisht të vrasësit dhe ndihmësit të tij, të cilët çuan drejt vdekjes ish-Sekretarin e Komunës Gjinaj, Naim Bytyçi.
Atentati i datës 5 qershor i ndodhur në mes të qytetit të Kukësit për një vend pune jo vetëm i ka kushtuar jetën 46-vjeçarit Bytyçi por ka futur në hasmëri dhe 2 fise në Kukës.

Qamil Kastrati punonte si infermier në Qendrën Shëndetësore të fshatit Myç të Hasit ku kishte konflikte me të ndjerin Bytyçi i cili kishte pozicionin e Sekretarit të Këshillit të Komunës. Ky i fundit po përpiqej ta largonte nga puna pasi do të punësonte si infermiere bashkëshorten e vet.

Kjo mosmarrëveshje e çoi çështjen deri në prokurori, por që më vonë u zgjidh vetëm me armë. Të shumtë ishin personat dhe burrat e fiseve që kishin ndërhyrë për zgjidhje paqësore, por që nuk funksionoi pasi Kastrati zgjodhi armën për të zgjidhur problemin mes tyre mbrëmjen e së martës në mes të qytetit. I plagosuri u transportua në Spitalin Ushtarak dhe vetëm 24 orë më vonë humbi jetën nga plagët e marra ndërkohë që është vënë në pranga vrasësi Kastrati si dhe bashkëpunëtori i tij Murriqi, i cili e ndihmoi për t'u larguar nga vendngjarja.

Për autorin Qamil Kastrati dhe ndihmësin e tij Bajram Murriqi, Gjykata e Kukësit ka dhënë masën e arrestit "burg pa afat" të cilët akuzohen përkatësisht "Plagosje e rëndë me pasojë vdekjen" dhe "Armëmbajtje pa leje" dhe për tjetrin "Fshehje e autorit të krimit".

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›