E Diel, 1 Nëntor 2026

Starton sot Euro 2012, spektakli zbret në fushë

POLONI - Gjithçka gati në Poloni e Ukrainë, ku sot në orën 18.00 do të startojë kampionati europian i futbollit. Në stadiumin e Varshavës do të zhvillohet ndeshja e parë, ajo mes Polonisë e Greqisë, që do t'i japë edhe startin këtij eventi. Rrugët e kryeqytetit polak janë mbushur me mijëra tifozë ditën e enjte, në pritje që të nisë një nga eventet më tërheqëse të botës së futbollit. Për 23 ditë, në Poloni e Ukrainë, do të vendoset kampioni i ri i kontinentit, teksa skuadra si Spanja, Gjermania e Holanda shihen nga të gjithë si favoritët. Ditën e parë, përveç Poloni-Greqi, do të luhet edhe sfida mes Rusisë e Çekisë, ndërkohë që gjithçka do të fillojë me ceremoninë e përgatitur nga polakët. Sa u përket ndeshjeve, grupi A është padyshim i paparashikueshëm, pasi ekipet kanë pak diferenca me njëra-tjetrën. Rusia mbetet favorite, ndërsa Greqia e Çekia duket se do të jenë rivalet më të forta për vendin e dytë. Trajneri i Polonisë Smuda i beson më shumë kolektivit, ndërsa dy yjet e vetme të skuadrës janë Blazhvikovski dhe Levandovski. "I gjithë vendi pret shumë nga ne, - deklaroi kapiteni Jakub Blazvikovski. - Jemi të shqetësuar për këtë, por gjithashtu edhe më të motivuar për të fituar. Këto janë gjithçka që futbollistët presin në karrierën e tyre. Të luajnë një turne të tillë, në stadiume kaq gjigande. Kjo është një ëndërr e bërë realitet, e vetmja gjë që mund të bëjmë është që kjo ëndërr të zgjasë", shtoi ai.
Grupi A
Megjithë optimizmin e krijuar në mbarë vendin, për polakët gjërat nuk duket se do të jenë aq të lehta. Futbollistët e këtij vendi luajnë kryesisht në Gjermani, Francë e Poloni, ndërsa i vetmi që luan në Angli është portieri Shezni i Arsenalit. Ndërkohë, tekniku i Rusisë Dik Advokat beson se ekipi i tij mund të shkojë larg nëse luan me besim te vetja, siç bëri në ndeshjen ndaj Italisë. "E dimë që na quajnë të gjithë favoritë të këtij grupi, por na duhet ta tregojmë një gjë të tillë ditën e premte, - u shpreh trajneri holandez i kombëtares ruse. - Ne jemi autsajder sa i përket fitimit të trofeut, por mos harroni se kemi një ekip të mirë dhe futbollistët kanë nisur të besojnë më shumë, gjë që është shumë e rëndësishme. Nëse jemi në formë dhe gjithçka shkon mirë, atëherë mund të them se do të bëhemi një skuadër shumë e rrezikshme", deklaroi më tej Dik Advokat. Në krahun tjetër, kombëtarja çeke vjen në këtë Europian pa shkëlqimin e dikurshëm, por ajo mbetet një skuadër mjaft e fortë. Milan Barosh dhe Tomas Roziçki janë dy emrat më të frikshëm të saj. Çekia arriti deri në gjysmëfinale në vitin 2004, duke mundur Holandën dhe Gjermaninë, duke iu dorëzuar pikërisht Greqisë. Kjo e fundit më pas fitoi trofeun, duke mundur 1-0 në finale Portugalinë. Greqia, nën drej-timin e Oto Rehagel, arriti të shfrytëzonte mjaft mirë armët e saj, sidomos mbrojtjen hermetike. Një gjë të tillë pritet që helenët ta bëjnë edhe sot ndaj Polonisë, në një stadium të tejmbushur me tifozë polakë. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›