E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adriatik Coli, akuzë e re për 2 vrasje të tjera

TIRANE - Adriatik Coli, sërish i pandehur për "vrasje". Ky vendim është marrë ditën e djeshme nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila ka depozituar në gjykatë dosjen në ngarkim të të penduarit të "Bandës së Durrësit" me akuzën e dy vrasjeve. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se ka qenë vetë Coli, i cili në cilësinë e të penduarit, u ka rrëfyer prokurorëve dy vrasjet e kryera në vitin 2000 në qytetin e Durrësit. Ndërkaq, të njëjtat burime shtojnë se janë duke vijuar hetimet dhe për Endrit Doklen, Bujar Gashin dhe disa persona të tjerë, identiteti i të cilëve nuk bëhet i ditur për shkak të hetimeve, pasi dyshohet se këta persona kanë qenë bashkëpunëtorë në vrasjet e kryera.

Akuza
Vrasja e parë, e cila është rrëfyer nga Adriatik Coli është ajo e Enver Petkut, i vrarë në vitin 2000 në qytetin e Durrësit. Nga hetimet është dokumentuar se grupi ku bënte pjesë Coli kishte dyshime se ky i fundit spiunonte tek grupi kundërshtar të gjitha planet dhe lëvizjet e tyre. Për këtë arsye, Petku është marrë peng prej tyre dhe është rrahur, derisa është vrarë nga Adriatik Coli. Por më pas ka rezultuar se nuk ishte Petku ai që spiunonte. Po të njëjtin vit, në qytetin e Durrësit është vrarë dhe Sali Kërtusha, i cili gjithashtu është vrarë nga ana e Colit. Në deklarimet e tij, ky i fundit është shprehur se ata kishin dyshime se Kërtusha i shiste armë grupit rival dhe për këtë arsye ai është vrarë në derën e shtëpisë nga ana e Colit.

Hetimet
Nga ana e saj, Prokuroria për Krime të Rënda është duke vijuar hetimet për të provuar implikimin e personave të tjerë në këto dy vrasje, pasi ka dyshime të forta se Adriatik Coli nuk ka qenë i vetmi person që ka kryer këto vrasje. Burime nga organi i akuzës bëjnë të ditur se janë në kërkim të provave të tjera, të cilat do t'i bashkohen dëshmisë së Colit, për të provuar përfshirjen e personave të tjerë.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›