Të dehur, vrasin shokun gjatë darkës

I plagosuri Saimir Yzeiri, në spitalin e Korçës
KORÇE/ Ngjarja në orët e para të mëngjesit, ndërsa festonin Ditën e Verës. Një i arrestuar.
Katër të rinj qëllojnë për vdekje 23-vjeçarin, plagosin një tjetër.
Festimet për Ditën e Verës shënojnë një viktimë. Një 23-vjeçar nga fshati Barç i rrethit të Korçës ka humbur jetën në Spitalin Ushtarak të Tiranës pas plagëve dhe dëmtimeve të marra si rrjedhojë e një sherri me një grup të rinjsh, ndërsa një tjetër ka mbetur i plagosur. Viktima 23-vjeçar, Oligert Kreka, ka gjetur vdekjen si pasojë e dëmtimeve të shkaktuara me mjete të forta në kokë dhe trup, ndërsa i plagosuri Saimir Yzeiri, 25 vjeç, vijon të mbetet në spitalin civil të Korçës. Ngjarja është shënuar në fshatin Barç të Korçës rreth orëve të para të së mërkurës, ku sipas të dhënave të Policisë 6 të rinj ishin mbledhur për të kremtuar festën pagane të Ditës së Verës. Pasi kanë konsumuar pije alkoolike në ambientet e banesës së Emiljano Nazifit, njëri prej autorëve të ngjarjes, mes gjashtë të rinjve, ka nisur një grindje me fyerje dhe ofendime e më tej ata kanë nisur të konfrontohen fizikisht ku kanë përdorur edhe mjete të tjera të forta që ndodheshin në banesë. Policia ka bërë me dije se grindja është zhvilluar mes viktimës dhe shokut të tij, Saimir Yzeiri, i cili ndodhet në spitalin civil të Korçës, si dhe 4 personave të tjerë nga komuniteti rom të identifikuar si: Emiljano Nazifi, Jorgo Kanani, Gardiol Kanani dhe Genci Nazifi. Prej pasdites të së martës, Emiljano Nazifi dhe tre shokët e tij ishin grumbulluar në shtëpinë të cilën 25-vjeçari e

Banesa ku ndodhi ngjarja e rëndë, në fshatin Barç të Korçës
kishte marrë me qira në këtë fshat dhe kishin nisur të konsumonin pije alkoolike. Gjatë festimeve janë bashkuar me ta edhe dy shokët e tij, Oligert dhe Saimir. Gjashtë të rinjtë, së bashku kanë nisur të pinë më së shumti birra, por nën efektin e këtyre të fundit kanë humbur kontrollin duke nisur të grinden me njëri-tjetrin. Pas sherrit, 4 autorët janë larguar menjëherë nga banesa duke lënë në gjendje të rëndë 2 personat, të cilët janë transportuar në spital nga familjarët e tyre që njoftuan edhe policinë. Për shkak të gjendjes së rëndë, Kreka është dërguar në Spitalin Ushtarak, ku në orët e pasdites ndërroi jetë. Nga ana e saj, Policia e Korçës ka mundur të arrestojë “mikpritësin” Emiljano Nazifi, i cili ka qenë duke udhëtuar në drejtim të kryeqytetit, si një prej autorëve të kësaj ngjarjeje, ndërsa të tjerët vijojnë të jenë në kërkim. Ndaj tyre rëndon akuza e “vrasjes me dashje”. Policia bllokoi në cilësinë e provës në vendin e ngjarjes dërrasa, leva dhe një sëpatë, me të cilat ishin goditur fatalisht dy të rinjtë.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI