Shpërthejnë flakët në pallat, 2 orë luftë për të shpëtuar banorët

Pallati ne zjarr
DURRES – Një zjarr i fuqishëm që ka përfshirë katin e katërt të një pallati në Lagjen Nr.8 të qytetit të Durrësit, ka vënë në rrezik serioz jetën e banorëve që ndodheshin në ato momente brenda tij. Jo vetëm anëtarët e familjes Zamani, por edhe 4 familjet e tjera që ndodheshin në katin e pestë të pallatit që u përfshi nga flakët, kanë shpëtuar mrekullisht pa u asfiksuar, pasi në momentin e shpërthimit të zjarrit disa prej banorëve kanë qenë në gjumë. Pothuajse e gjithë familja Zamani prej ka qenë brenda në banesë në momentin që kjo e fundit u përfshi nga zjarri. 5 pjesëtarë të familjes, mes tyre edhe dy fëmijë të vegjël 7 dhe 5 vjeç, mund të ishin bërë viktima nga asfiksia, por fatmirësisht gjyshja e fëmijëve, Qamile Zamani, kishte dalë nga shtëpia për të blerë bukë dhe, kur është kthyer në shtëpi, ka lajmëruar pjesëtarët e tjerë të familjes për çka kishte ndodhur. Ata kanë tentuar të largohen menjëherë nga banesa, por e kanë pasur të pamundur, pasi flakët kanë qenë prezente në çdo cep të shtëpisë, madje edhe pranë derës së jashtme. Menjëherë në ndihmë të familjes Zamani ka shkuar policia, reparti i zjarrfikëses, si dhe banorët e lagjes, të cilët kanë hyrë mes flakëve duke shpëtuar dy fëmijët e vegjël që ndodheshin të izoluar në dhomën e gjumit. Naime Guzina është kthyer në një engjëll mbrojtës për të miturit. Fqinja, e cila jeton në të njëjtin kat me familjen Zamani, ka hyrë brenda dhe duke çarë mes për mes flakët, ka mundur të nxjerrë nga banesa fëmijët. Ndërkohë që fqinjët ndihmonin pjesëtarët e tjerë të familjes, një mjet i repartit të zjarrfikëseve u ka ardhur në ndihmë, duke bërë evakuimin e tyre nga dritarja e shtëpisë. Operacioni për shuarjen e zjarrit dhe për evakuimin e banorëve zgjati rreth dy orë. Vatra e zjarrit që ndodhej në katin e katërt, ka përçuar me shpejtësi tymin deri në katin e 5-të, duke rrezikuar asfiksimin e të gjithë banorëve që ndodheshin në atë kat. Si pasojë e tymit, babai i dy fëmijëve, Indrit Zamani, mbeti për disa minuta i bllokuar në apartament. Ai ka qëndruar në parvazin e dritares duke kërkuar ndihmë, derisa një efektiv i kërkim-shpëtimit arriti ta nxjerrë personin prej andej nëpërmjet shkallëve lëvizëse. Nga grupi i hetimit paraprakisht mësohet se kemi të bëjmë me një ndezje zjarri nga një shkëndijë elektrike, por dyshohet se zjarri mund të jetë ndezur edhe nga rrjedhja e ndonjë bombole gazi. Fatmirësisht nga zjarri nuk ka pasur të lënduar në njerëz, ndërkohë që dëmet materiale mendohet se shkojnë në rreth 10 milionë lekë. Në banesën e familjes Zemani, përveç mureve, çdo gjë është shkrumbuar. l.m