Kukes gjendet kufoma e nje femre

Gjendet një kufomë e dekompozuar në Kukës. Kufoma që i përket seksit femër kishte ngecur në rrjetat e peshkatareve rreth orës 6 e 30 minuta të mëngjesit të së martës. Menjëherë është njoftuar policia, që ka mbërritur në vendngjarje. Kufoma qëndronte mbi sipërfaqen e ujërave të liqenit të Fierzës, në afërsi të Urës së Drinit të Zi, rreth 4 km nga qyteti i Kukësit. Paraprakisht, policia pas këqyrjes së kufomës së dekompozuar ka hedhur dyshimet që mund t'i përkiste Thëllënxa Rexhmatit, 38 vjeçares nga lagja 5 e qytetit të Kukësit, që u zhduk pa asnjë gjurmë në 15 mars të këtij viti. Dyshimet janë përforcuar edhe nga familjarët e viktimës, që kanë shkuar në vendin ku është gjetur kufoma, duke dalluar ato pak gjëra të identifikueshme si çizmet e bardha dhe rrobat që mbante veshur. Shkalla e lartë e dekompozimit të saj nuk ka lejuar nxjerrjen dhe transportin nga policia e Kukësit për në morgun e spitalit, ndërsa ekspertë të mjekësise ligjore dhe prokurorë të krimeve të rënda do të hetojnë më tej për identitetin e plotë dhe shkaqet e mbytjes së saj. Thëllënxa Rexhmati, 38 vjeçe, nënë e tre fëmijëve u zhduk pa asnjë gjurmë në 15 mars të këtij viti. Familjarët gjetën në banesën e saj një thikë dhe një bluzë me njolla gjaku, ngjarje që nuk u arrit të zbardhej. Polica aludonte për ndonje grabitje të mundshme ose vrasje, ndërsa me hetimet e mëvonshme u mor Prokuroria e Krimeve të Rënda.