E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndryshohen disa shefa komisariatesh

Sërish ndryshime në radhët e drejtuesve të policisë. Tre drejtues komisariatesh janë lëvizur dje me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe me miratimin e ministrit. Sipas të dhënave, ndryshimet kanë prekur Komisariatin e Fierit, Lushnjës dhe Kavajës. Burimet policore shpjeguan më tej se shefi i Komisariatit të Fierit, Latif Kulla, ka lënë këtë detyrë dhe është emëruar në të njëjtin post, por në qytetin e Lushnjës. Ky funksion deri dje mbahej nga Selman Tema, i cili prej disa kohësh ka ndryshuar disa poste. Fillimisht, Tema ka qenë shef komisariati në Lushnjë, më pas është dërguar shef komisariati në Kavajë dhe që nga aty shef komisariati në Kombinat të Tiranës. Pas këtij posti, ai u rikthye sërish në Komisariatin e Lushnjës, por dje është vendosur lëvizja e tij, duke u emëruar sërish shef Komisariati në Kavajë. Ndërsa ish-shefi i Komisariatit të Kavajës, Ilirian Balla, e ka lënë këtë detyrë për një tjetër funksion. Ndërkaq, në vendin vakant të shefit të Komisariatit të Fierit, që është liruar nga Kulla, ka shkuar Artan Pjetërnika. Burimet nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur se ndryshimet do të vijojnë edhe në ditët e tjera në kuadër të përmirësimit të punës së policisë.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›