Kukës, mbyllet për 4 ditë tuneli
KUKES/ JONUZ HALLAÇI
Bllokohet për 4 ditë tuneli i Kalimashit. Asnjë makinë nuk do të mund të kalojë në galerinë e vetme të hapur në tunelin që shkurton 2 orë rrugë nga Tirana në Morin. Sipas njoftimit të bërë dje nga Ministria e Transporteve, tuneli do të jetë i mbyllur për udhëtarët nga ora 11:00 e ditës së sotme deri në 7 të mëngjesit të së enjtes, më 9 korrik. Bllokimi i tunelit, vetëm pak javë pas hapjes së tij, bëhet sipas ministrisë “për shkak të punimeve elektromekanike dhe përforcuese në galerinë jugore, të cilat për arsye teknike dhe sigurie nuk mund të zhvillohen ndërsa ka qarkullim të mjeteve”. Ndërsa kërkohet ndjesë për qytetarët, vendas dhe të Kosovës, parashikohet nga ky institucion që kufizimi nuk do të zgjasë më tepër se 4 ditë. Ky vendim vjen pasi që nga momenti i hapjes së galerisë, pak kohë para datës së zgjedhjeve parlamentare, tuneli bllokohej për disa orë gjatë natës. Pak ditë më parë, punimet që kryheshin nga ora 24:00 e vazhdonin deri në 06:00 të mëngjesit, shkaktuan radhë të shumta në dy hyrjet e tunelit, si nga ana e Thirrës, ashtu dhe nga ajo e Kalimashit nga ana tjetër. Vonesat u justifikuan me faktin se punimet nuk mund të liheshin në mes dhe vetëm fjala e specialistëve të sigurisë në firmën ndërtuese “Bechtel Enka” bënte hapjen e galerisë. Bllokimi disaditor i lëvizjes në tunel ndodh tashmë kur ka nisur dhe fluksi i lëvizjes së pushuesve kosovarë në Shqipëri ose kthimi i emigrantëve, shqiptarë dhe nga Kosova për në vendlindja. Hapja e galerisë dhe shkurtimi i kohës për të përshkuar rrugën nga kryeqyteti apo Durrësi solli interesimin e mijërave persona. Të dhënat e ditëve të fundit tregojnë për lëvizjen e qindra mjeteve, në të dy anët e kufirit. Për të udhëtuar në galerinë e vetme të tunelit të Kalimashit, duhet të presësh në pjesën hyrëse të tij dhe mjete të sigurisë udhëheqin brenda karvanin e makinave. Kjo, pasi mungesa e sinjalistikës nuk mundëson qarkullimin në dy kahe të kundërta brenda tunelit. Pritet që në vjeshtë të hapet dhe galeria e dytë, e cila tashmë është bashkuar në mesin e saj. Ndërkaq, autostrada Durrës-Morin, ka mbaruar në pjesën më të madhe të saj, duke i lënë vendin përfundimit të sinjalistikës dhe të infrastrukturës mbrojtëse përgjatë saj.