E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Jam i rëndësishëm për Sienën

Fitorja e Sienës ndaj Xhenovas ka sjellë harmoni në grupin senez, fakt të cilin e pohon edhe Erjon Bogdani. “Ishte një sukses i merituar. Ndjemë se duhej të ktheheshim te rezultatet pozitive pas humbjes me Kaljarin. Personalisht e njoh mirë rolin që kam në këtë grup lojtarësh dhe jam i sigurt se mund të jap ende shumë. Ndeshja me Parmën? Është një skuadër që po kalon një moment të mirë, por ne do të futemi në fushën e lojës vetëm për një rezultat: fitoren. Shpresoj që të luaj dhe shënoj”, ka pohuar sulmuesi i Kombëtares shqiptare.

FC Servete “bllokon” Sadikun
Serveti i Gjenevës do të ketë Armando Sadikun që në janar të vitit të ardhshëm. Këtë e bën të ditur media zvicerane “nachrichten.ch”, e cila sqaron se klubi i Superligës së Zvicrës e ka “bllokuar” kartonin e sulmuesit 21-vjeçar të Kombëtares shqiptare. Nuk jepen hollësi lidhur me këtë lëvizje të Sadikut, por nuk besohet se Lugano do të pranojë ta humbasë sulmuesin e saj më të mirë pa fituar një shumë të mirë parash. Shënuesi më i mirë i Challenge League, me 9 gola (10 gola në sezon për Luganon), po kalon një formë shumë të mirë edhe me Kombëtaren shqiptare.

Cana kthehet në mbrojtje te Lacio
Lorik Cana mund të kthehet në qendër të mbrojtjes edhe te skuadra e Lacios. Një gjë e tillë është komunikuar dje nga mediat italiane, të cilat kanë ndjekur së fundi seancat stërvitore të trajnerit Petkoviç. Ai ka çuar Canën në mbrojtje dhe me shumë gjasa do ta përdorë që në ndeshjen e nesërme të Ligës së Europës ndaj Panathinaikosit. Kujtojmë se edhe te Marseja, si dhe thuajse vazhdimisht në Kombëtaren shqiptare, Lorik Cana luan si qendërmbrojtës, dhe ndoshta kjo ka shtyrë edhe teknikun e Lacios që ta provojë në repartin difensiv.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›