E Diel, 1 Nëntor 2026

Kukës, probleme në akset kombëtare, izolohen fshatrat

Të bllokuara, sipas drejtorit te rrugëve janë akset nacionalë Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi dhe Krumë-Shkatin. Dëbora ka izoluar disa fshatra në 8 komuna me një popullsi prej rreth 35 mijë banore 

KUKËS- Reshjet e dëborës që po vazhdojnë prej dy ditësh në zonën verilindore të vendit kanë bllokuar qarkullimin e mjeteve në disa akse kombëtare si dhe kanë izoluar disa fshatra të thellë malorë.
Të bllokuara, sipas drejtorit rajonal të mirëmbajtjes së rrugëve, Rushit Gashi janë akset nacionalë Kukës-Shishtavec, Kukës-Peshkopi dhe Krumë-Shkatin.
Ai informoi se aksi rrugor Morin-Kukës-Qafë Shllak ështe i kalueshëm me zinxhirë dhe aktualisht për mbajtjen hapur të këtij aksi po punojnë 4 borëpastruese. I kalueshëm është edhe aksi Kukës-Krumë.
Nga informacionet në prefekturë mësohet se trashësia e dëborës në qytetin e Kukësit arrin në 35 cm, ndërsa në zonat mbi 600 m në 70 cm.
Drejtori i policisë së qarkut të Kukësit, Muharrem Furiku thotë se janë përforcuar postoblloqet e policisë për të mos lejuar lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, kryesisht të mjeteve të tonazhit të rëndë që mund të bllokojnë rrugën.
Dëbora ka izoluar disa fshatra të komunave Zabot, Topojanë, Shishtavec, Bushtricë, Grykë Çajë, Ujmisht, Arrëz dhe Kalis, me një popullsi prej rreth 35 mijë banore. Ndërmarrja e mirëmbajtje së rrugëve rurale po punon për hapjen e akseve që lidhin fshatrat me qendrat e komunave.
Si pasojë e motit të keq, disa shtylla të tensioni të mesëm dhe të ulët janë rrëzuar, duke lënë pa energji 3 lagje të qytetit të Kukësit dhe një pjesë të komunave Tërthoraz dhe Bicaj. Sipas drejtorit të KESH-it, Ajdin Elezi po punohet për riparimin e defektit dhe energjia pritet të rikthehet brenda disa orësh.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›