Kukës, shembet miniera në Kalimash, vdesin 2 punëtorë

Dy persona kanë vdekur dhe një i plagosur në gjëndje të rëndë për jetën. Me këtë bilanc tragjik e kanë mbyllur ditën e punës punëtorët e minierës së Kalimashit në Kukës. Pasditen e së martës , mësohet se gjatë kohës që punëtorët po punonin në këtë galeri, kjo e fundit është shembur duke i marrë jetën të paktën dy personave, Besnik Halili 55 vjeç dhe Xhezair Sulmata 32 vjeç ndërsa është në gjendje të rëndë shëndetësore, në spitalin e Kukësit, Albert Sulmata.
Ndërkaq, Sindikata e Minatorëve ka raportuar se bëhet fjalë për një galeri të braktisur në këtë minierë, shembja e të cilës ka rezultuar të jetë jetë fatale për jetën e këtyre punëtorëve që ishin në galeri. Ndërsa nuk dihet ende numri i punëtorëve që po punonin në galeri, menjëherë pas ngjarjes së rëndë kanë mbërritur atje forca të shumta të policisë. Ndërkaq po punohet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarje të rëndë.