Vlorë, gjendet një kufomë në bregun e lumit Vjosë
Një kufomë e seksit mashkull, është gjetur sot në bregun e lumit Vjosë. Trupi i pajetë është gjetur buzë lumit të Vjosës, në afërsi të fshatit Poro. Kufoma është gjetur nga banorët e zonës, të cilët kanë njoftuar menjëherë policinë, sipas së cilës bëhet fjalë për një të moshuar.
Sipas uniformave blu, mësohet se trupi është i të moshuarit 72-vjeçar, Islam Bregut, banor i fshatit Frakull të rrethit të Fierit. Viktima rezultonte i zhdukur prej 3 ditësh.
Policia informon se në trupin e viktimës nuk ka shenja dhune. Trupi i pajetë është çuar në morgun e spitalit të Fierit ku do të kryhen ekspertiza të mëtejshme për të zbardhur shkakun e vdekjes së viktimës.
Ndërkaq, vetëm një ditë më parë është gjetur një tjetër kufomë e seksit mashkull, në Orikum të Vlorës. Trupi i dekompozuar i të riut është gjetur në vaskat e peshkimit në Tragjasë.