Mançini, ekipi i miliardierëve bën debutimin në Champions
LONDER-Mançester Siti është një nga skuadrat që i druhen të gjithë këtë sezon të Champions League edhe pse ajo është debutuese në këtë kompeticion. Siti do të presë të mërkurën në mbrëmje Napolin, në një sfidë ku nuk pritet që anglezët të kenë shumë probleme. Skuadra e drejtuar nga Roberto Mançini është një formacion i mbushur me yje dhe me futbollistë të një niveli shumë të lartë, por ajo ndodhet në një grup ferri. “Napoli është një skuadër shumë e mirë, sepse sezonin e shkuar bëri shumë mirë në kampionatin italian, - tha Mançini. – Këtë vit ata kanë bërë blerje të tjera të mira, kështu që janë të rrezikshëm”. Sipas Mançinit, Napoli nuk ka asgjë më pak se dy skuadrat e tjera Vilareal dhe Bajern Mynih. Siti pritet të hedhë në fushë një skuadër të mbushur me emra të mëdhenj dhe në sulm pritet të luajë me treshen Silva-Aguero-Xheko. Sheiku Al Mansur ka shpenzuar më shumë se 600 milionë stërlina për të ndërtuar një skuadër që të konkurrojë denjësisht në Angli dhe në Evropë. Për mbrojtësin Aleksandër Kolarov, megjithëse Siti është debutues, ai ka në ekip lojtarë me shumë përvojë në Ligën e Kampioneve.
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)
(d.b/a.latifi/BalkanWeb)