Ekzekutim brenda fabrikës së Çimentos
FUSHE-KRUJE/ ROLAND NIKOLLI
Ekzekutohet brenda fabrikës së Çimentos në Fushë-Krujë 20-vjeçari. Roja e fabrikës qëlloi me armë zjarri ndaj Avdyl Zallës, i cili sipas policisë dyshohet se kishte hyrë për të vjedhur brenda saj.
Viktima, banor i fshatit Zallë të Fushë-Krujës, është qëlluar me armë automatike nga roja, Llesh Rica, banor i fshatit Thumanë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:50 të mbrëmjes së djeshme. Nga hetimet e para mësohet se 20-vjeçari kishte hyrë në territorin e fabrikës, duke përfituar nga errësira në pjesën e pasme të saj. Ai ka arritur të depërtojë deri në një prej agregateve të fabrikës, pikërisht te çibukët që nxirrnin çimento. Roja, sipas policisë, nuk kishte pikasur asgjë deri në këtë moment, pasi viktima kishte kapërcyer murin rrethues të fabrikës, duke mbërritur më pas deri tek agregatet. Në momentin kur po mbushte thesin me çimento, roja ka dëgjuar zhurmën që vinte nga brenda fabrikës. Me armë në dorë, Rica i ka kërkuar që të mos lëvizte. I menjëhershëm ka qenë reagimi i të riut, i cili ka tentuar të largohej me shpejtësi. Ndërkohë që roja, i frikësuar se mos kishte njeri tjetër në bashkëpunim me personin që po vidhte çimenton, ka qëlluar me breshëri automatike, për të lajmëruar edhe rojet e tjera të fabrikës që t’i vinin në ndihmë. Por, siç ka pohuar autori në polici, plumbat e automatikut, kanë hasur në pajisjet prej hekuri dhe duke bërë rioshet, dy prej tyre kanë përfunduar në trupin e 20-vjeçarit Avdyl Zalla. Sipas burimeve të policisë mësohet se Zalla, pas plagëve të marra është dërguar nga ana e punonjësve të fabrikës në urgjencën e Fushë-Krujës e më pas është nisur po me urgjencë në spitalin ushtarak në Tiranë. Por sipas mjekëve mësohet se i riu është plagosur në organet e brendshme e për shkak të hemorragjisë së madhe, ai humbi jetën pa mbërritur në spitalin e Tiranës. Pas plagosjes, Llesh Rica ka lajmëruar menjëherë policinë dhe është vetëdorzuar së bashku me armën e shërbimit, ndërsa ka treguar të gjithë ngjarjen e ndodhur. Sipas Ricës, ai nuk ka dashur ta vriste 20-vjeçarin, por ta paralajmëronte që të mos largohej nga vendi ku po grabiste çimenton. Por plumbat kanë rënë në hekurat e fabrikës duke bërë më pas edhe rikoshet e duke përfunduar mbi trupin e të riut.
Sipas policisë së Fushë-Krujës viktima Avdyl Zalla njihej nga ana e policisë, pasi ishte njeri mjaft problematik. Vetëm para pak ditësh ai kishte rrahur një nga drejtuesit e një shkolle në Fushë-Krujë, duke e gjakosur atë në mes të nxënësve. Ndërkohë që mësuesi nuk kishte kryer denoncim, duke iu shmangur konfrontimeve. Ai ishte i papunë dhe nevoja për të fituar para e kishte çuar deri në fabrikën e Çimentos, me qëllim shitjen e saj. Ndërsa roja e fabrikës, Llesh Rica është nga fshati Thumanë i Krujës. Ai kishte vetëm gjashtë muaj që kishte nisur punë si roje në fabrikën e vjetër të Çimentos, në Fushë-Krujë, e cila shfrytëzohet nga privatë.