E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukës, zhyten nën ujë rrënojat e Kukësit të vjetër

KUKES- Rrënojat e Kukësit të vjetër thuajse janë zhytur sërish tërësish nën ujë pas më shumë se dy muajsh qëndrimi mbi ujë si rrjedhojë e prurjeve të paskta të ujit në liqenin e Fierzës. Rritja e prurjeve të ujit ka ardhur kryesisht pas shkrirjes së dëborës, që gjithsesi nuk e ka rritur ndjeshëm këtë tregues që është deri në 300 metër kub ujë në sekondë. Kjo ka bërë që edhe niveli i ujrave të liqenit të rritet dhe tashmë ky tregues arrin në afro 258,5 metra mbi nivelin e detit.

Shtimi i prurjeve të ujit kanë sjellë edhe rritjen e nivelit, ndonëse tregues të tillë të ulët rrallë herë janë parë në këtë periudhë në liqenin e Fierzës, çka ka sjellë që prej dy muajsh rrënojat e qytetit të Kukësit të vjetër të qëndrojnë mbi sipërfaqen e ujit, bile me varkë edhe janë vizituar nga nostalgjikët e qytetit të vjetër.

Luhatjet e nivelit të liqenit të Fierzës që kur ai u krijua në shtatorin e vitit 1978, nuk janë të rralla. Rrënojat e qytetit të vjetër për herë të parë janë zbuluar në vitin 1998, ndërsa thuajse asnjëherë nuk kanë qëndruar mbi ujra kaq gjatë si këtë herë.

Liqeni i Fierzës ka një gjatësi prej 70 kilometrash dhe shtrihet përgjatë brigjeve të lumejve Drini i Bardhë, Drini i Zi dhe të Drinit të bashkuar, me një sipërfaqe prej 7 mijë ha. Kapaciteti maksimal ujëmbajtës i liqenit arrin në rreth 3,2 miliard metër kub ujë në nivelin e 296 metër mbi nivelin e detit , që është niveli maksimal i liqenit të Fierzës. Ndërsa 1,2 miliard metër kub ujë të liqenit janë të pashfrytëzueshme për prodhim energjie, pasi ndodhen nën të ashtuquajturën pikë e vdekjes që ndodhet në nivelin e 242 metrave mbi nivelin e detit.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›