E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukësi, e pamundur të luajë të shtunën me Butrintin

Nga Bashkim SHALA

Debora dhe ngrica kanë mbuluar fushën e futbollit. Erërat e forta, stuhitë e borës dhe temperaturat e ulëta kanë penguar pastrimin e saj

Ndeshja Kukësi-Butrinti, që sipas kalendarit duhet të zhvillohet më 11 shkurt, nuk ka shanse të luhet të shtunën. Prej më shumë se një jave bora ka mbuluar qytetin e Kukësit, ku trashësia e saj arrin në rreth 70 centimetra, bashkë më të edhe fushën e futbollit. Ka dështuar edhe përpjekja e punonjesve të bashkisë dhe mjeteve borëpastruese për ta bërë gati fushën për ndeshjen e fundjavës.

Aksioni i punonjesve është penguar nga erërat e forta deri në stuhi dhe temperaturat e ulëta deri në -10 gradë. Kështu, pastrimi i fushës nga bora ka qenë veçse një aventurë e dështuar e bashkisë. Ende nuk dihet nëse ndeshja midis Kukësit dhe Butrintit do të shtyhet apo do të zhvillohet në një fushë tjetër, nëse  klubi kuksian bie dakord.

Kujtojmë që Kukësi ka edhe një ndeshje të prapambetur, pikërisht atë me Luftëtarin kryesues dhe rival direkt, e vlefshme për javën e 14-të të kampionatit. Ajo nuk u zhvillua në Gjirokastër për të njëjtën arsye, pasi fusha ishte e mbuluar me borë. Ndërkohë, futbollistët që përfaqësojnë Kukësin nuk janë parë në këtë qytet që nga 29 dhjetori i vitit kaluar, kur luajtën ndeshjen me Lushnjën dhe fituan me rezultatin 3-1.

Historia Plot 11 vjet më parë në Kukës është luajtur një ndeshje në fushën e mbuluar nga bora. Në atë kohë, Përparimi i Kukësit priste Tiranën kampione, me  trajner Shkëlqim Muçën, në një ndeshje të vlefshme për Kupën e Shqipërisë. Ndeshja është zhvilluar në fushën e mbuluar me dëborë, vijëzimi i fushës ka qenë me ngjyrë të zezë, ndërsa topi ka qenë me ngjyrë të verdhë.

Presidenti i asaj kohe i Kukësit, Lutfi Meçka, e kishte sjellë topin nga Gjermania enkas për atë ndeshje. Në praninë e rreth 6 mijë tifozëve, ndeshja përfundoi me rezultatin 1-1. Të parët shënuan tiranasit me anë të Ymerit, ndërsa për kuksianët barazoi Rrahman Hallaçi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›