Peçi: Besa do ta provojë sërish forcën e Gramozit
Mbrojtësi kolonjar, Visi Peçi, mendon se ekipi i fazës së dytë është më i fortë dhe do të ngjitet javë pas jave në tabelë
Edhe pak ditë kanë mbetur nga starti i fazës së dytë dhe në qytetin e Ersekës janë shtuar ethet për ndeshjen me Besën. Kushtet atmosferike mbeten mjaft të vështira dhe pa dyshim që i kanë kushtëzuar përgatitjet e kolonjarëve për ndeshjen me Besën, por trajneri Ilir Qirjako është munduar ti karikojë të tijtë për të marrë një rezultat pozitiv.
Gramozi, me një grup ndryshe nga ai i fazës së parë, synon të zhvillojë një fazë të dytë më kompetitive dhe ndeshja me kavajasit do të jetë një tregues për forcën e këtij ekipi. Mbrojtësi Peçi, gjithmonë besnik i ekipit kolonjar, pavarësisht ofertave që ka pasur në momente të ndryshme, tregon për Sportin shqiptar se në çfarë niveli është Gramozi para nisjes së fazës së dytë:
Në ekip ekziston një atmosferë e ngrohtë, pasi jemi lojtarë që luajmë bashkë prej disa sezonesh dhe shumica jemi vendës. Gjithashtu, stafi teknik ka punuar me shumë seriozitet, si gjithmonë. E rëndësishme është që është rritur konkurrenca, pasi janë afruar disa lojtarë me eksperiencë, që do të na ndihmojnë jo pak. Gramozi nuk është ekip për në vend të 11-të dhe duhet të luftojmë në çdo ndeshje për të marrë maksimumin dhe për të arritur objektivin.
Mendoj se të gjithë lojtarët e afruar gjatë merkatos së dimrit e kanë përvojën për ta bërë Gramozin një ekip të fortë, ndryshe nga faza e parë, kur shumë nga të ardhurit ishin shumë të rinj në moshë. Ky ekip më bën optimist dhe, bashkë me të gjithë shokët, jemi të mobilizuar për të ngjitur sa më shumë shkallë në tabelën e klasifikimit. Them se gjërat do të na shkojnë mbarë, sepse ia kemi bërë hyzmetin punës. Të parët që do ta provojnë forcën e Gramozit do të jenë kavajasit, tha futbollisti kolonjar.
Rreziku Ajo që i shqetëson më shumë të gjithë në kampin kolonjar është koha shumë e keqe, që rrezikon edhe ndeshjen e së shtunës. Për shkak të kushteve të vështira atmosferike Gramozi nuk mundi të luante asnjë ndeshje miqësore gjatë përgatitjeve dimërore. Mbetet për tu parë se në çfarë kushtesh do të jetë fusha ditën e shtunë.
