E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tash e do Shqipërinë

Mërgim Mavraj është bërë pishman që e refuzoi Kombëtaren shqiptare vite më parë. Mbrojtësi kosovar arsyetohet se këtë vendim e kishte marrë pasi që ishte i papjekur dhe se ishte këshilluar gabimisht nga njerëzit. 24 vjeçari ndihet i gatshëm për të luajtur për Kuqezinjtë, nëse merr ftesë.

Mërgim Mavraj nuk ka hequr dorë përfundimisht nga Kombëtarja shqiptare. Edhe pse i refuzoi Kuqezinjtë disa vite më parë, mbrojtësi kosovar beson se në të ardhmen do ta veshë fanellën e Shqipërisë.

24 vjeçari ishte pjesë e ekipit U-21 të Gjermanisë dhe shpresonte të kalonte në ekipin A të këtij vendi, kështu që kishte vendosur t’i thoshte ‘JO’ Shqipërisë. Më pas shqiptarët e konsideronin atë tradhtar.

Në fund ai mbeti duarthatë, pasi që Gjermania nuk i bëri ftesë për ekipin A. Por, tash futbollisti i Greuther Furth është bërë pishman që dikur e refuzoi ekipin kuq e zi dhe tash i ka kthyer sytë kah Shqipëria.

“Tash ndihem në fazën e lojtarit lider dhe jam i gatshëm të luaj për Kombëtaren. Në fakt, më parë i referohesha ekipit kombëtar të Gjermanisë. Por, tash vendimi im është i prerë: dëshiroj të luaj për vendin tim, Shqipërinë. Ekzistojnë edhe disa probleme të vogla, të cilat duhet t’i sqaroj me Federatën, ndërsa më pas mund të filloj të luaj për Kuqezinjtë”, deklaroi Mavraj në një intervistë për ueb faqen spox.com.

Mavraj ka treguar në detaje edhe për periudhën kur e kishte refuzuar Shqipërinë. Ai arsyetohet me faktin se është këshilluar nga të tjerët që t’i marrë ato vendime.

“Si futbollist i ri, unë isha rrethuar nga shumë njerëz, të cilët më jepnin këshilla pa menduar shumë se cila ishte zgjedhja më e mirë për mua. Unë isha i ngazëllyer nga shumë gjëra. Fakti i parë ishte se luaja për U-21 së bashku me lojtarë si Boateng, Dennis Aogo e Andreas Beck dhe i dyti, sepse më ishin hapur shumë perspektiva ”, theksoi ai.

“Pasi e refuzova Shqipërinë, ma zunë për të keq dhe nuk e kanë harruar këtë. Për këtë arsye kam dhënë shumë intervista dhe jam i gatshëm të përballem me kritikët. Kjo i takon fazës kur njeriu fillon të piqet”, shtoi mbrojtësi shtatlartë.

Mavraj i ka kujtuar edhe momentet e vështira që kaloi në periudhën e fundit në Bochum dhe pohon se që nga transferimi i tij në Greuther Furth, kanë ndryshuar gjërat për të mirë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›