Futbolli kosovar, gati padinë për UEFA-n dhe FIFA-n
Sipas sekretarit të FFK-së, Eroll Salihu, kosovarëve nuk mund tu mohet e drejta për të luajtur futboll, sidomos tani që Kosova është shtet
Nëse edhe në këtë javë UEFA nuk i rekomandon FIFA-s që ta lejojë përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore, atëherë këtyre dy organizatave mund tu dalë punë nëpër gjykata. Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës po mendojnë shumë seriozisht që këtë çështje ta procedojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, pasi kanë fituar bindjen se shtëpia e futbollit europian dhe atij botëror e kanë tepruar, duke i diskriminuar.
Të martën dhe të mërkurën, në Stamboll, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s do ta mbajë mbledhjen e tij të radhës. Është paraparë që në këtë mbledhje ky organ ta nxjerrë një rekomandim për FIFA-n që ta lejojë apo jo përfaqësuesen e Kosovës dhe klubet e saj të zhvillojnë ndeshje miqësore ndërkombëtare. Në fakt, një rekomandim të tillë UEFA ishte paraparë tia jepte FIFA-s para disa muajve, por nuk e bëri një gjë të tillë me arsyetimin se kishte kërkuar një mendim këshillëdhënës nga zyra ligjore e saj.
Por kjo nuk ishte hera e parë që UEFA nuk i ishte përgjigjur FIFA-s rreth kësaj çështjeje, të cilën europianët po e zvarritin prej kohësh. Prandaj, përvoja e hidhuar nga e kaluara ka bërë që krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) të mos i kushtojnë rëndësi aq të madhe as mbledhjes së radhës të Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Pra, udhëheqësit e futbollit kosovar nuk janë aq optimistë nëse europianët kësaj radhe do ti japin një rekomandim shtëpisë së futbollit botëror rreth kërkesës së kosovarëve, e cila herë dërgohet në FIFA e herë në UEFA, por pa dhënë rezultat. Kështu, koha po ecën, derisa dita-ditës krerëve të FFK-së po u humbet durimi.
Kosovarët tashmë e kanë fituar bindjen se po diskriminohen nga FIFA e UEFA për faktin se këto dy organizata nuk po i lejojnë të luajnë futboll, edhe pse Kosova konsiderohet zemra e Europës. Krerët e FFK-së thonë se, nëse edhe kësaj radhe UEFA nuk ia jep një rekomandim FIFA-s, atëherë do ta shqyrtojnë shumë seriozisht mundësinë që çështjen ta dërgojnë në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS).
Sekretari Salihu E kemi një paraide, nëse mund ta quaj kështu, që nëse nuk na jepet e drejta për të luajtur futboll, atëherë sipas të gjitha gjasave, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të detyrohet ti ndjekë të gjitha rrugët ligjore, gjykatat sportive, që ta fitojmë të drejtën tonë njerëzore. Pra, nëse edhe kësaj here UEFA nuk na përgjigjet, ne do ta marrim shumë seriozisht këtë ide, për të cilën kemi diskutuar disa herë më parë. Kjo pasi nuk kemi çka të humbasim.
Nuk mund të pritet anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara për të na lejuar të zhvillojmë ndeshje miqësore. Kur pranohemi në OKB, ne skemi pse të diskutojmë me FIFA-n e UEFA-n, sepse atëherë automatikisht bëhemi anëtarë të tyre, – ka deklaruar për gazetën kosovare Express sekretari i përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu. Madje, një fjali tjetër e Salihut tingëllon si ultimatum për udhëheqësit e futbollit europian dhe atij botëror, para se FFK ta nisë procedurën e dërgimit të çështjes në gjykatë.
Është koha e fundit që FIFA e UEFA ta gjejnë një zgjidhje për ne. Nuk mund të na mohet e drejta për të luajtur futboll, sidomos tani kur jemi shtet, – tha Salihu. Mundësia e dërgimit të kësaj çështjeje në gjykatë nga ana e krerëve të FFK-së, qe përmendur edhe në të kaluarën, por jo kaq seriozisht sikurse tani. Duhet theksuar se ndeshjen e fundit miqësore përfaqësuesja e Kosovës ndaj kombëtares së një shteti tjetër e zhvilloi në verën e vitit 2007 në Turqi ndaj Arabisë Saudite, takim të cilin kosovarët e fituan me rezultat minimal 1-0.
