E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kukesi pa uje bashkia mban mbledhje te jashtezakonshme

Thatësira e tejzgjatur, shpërdorimi i ujit të pijshëm në zonat rurale si dhe braktisja e punimeve për ujësjellësin e ri nga firma ndërtuese ka lënë pa ujë të pijshëm qytetin e Kukësit dhe 14 fshatra rreth tij. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të këshillit bashkiak për gjendjen e krijuar është fajësuar drejtuesi i ujësjellësit.

“Kjo mbledhje nuk është e parë, por e disata që bëhet për ujësjellësin dhe gjendja ka ardhur vetëm duke u përkeqësuar”-thotë këshilltarë bashkiakë.

Drejtori i ujësjellësit është shprehur i pafuqishëm përballë kësaj situate të krijuar.

“Megjithë punën e bërë kemi përsëri shpërdorime. Edhe atyre që u është ndërprerë furnizimi me ujë, sërish e marrin atë me tuba plastikë nga ndërtesat. Problem nga ana jonë, megjithë punën e vazhdueshme mbeten arkëtimet, kryesisht te popullata”-thotë Rasim Shehu, drejtor i Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Kukës.

Ndërsa për kreun e bashkisë shkau kryesor i mungesës së ujit të pijshëm është ndërprerja e punimeve për ujësjellësin që do të furnizonte qytetin dhe fshatrat përreth.

“Zgjidhja e problemit të ujit në Kukës është vetëm ujësjellësi i ri. 40 litra janë të prurat teorike të ujësjellësit. Praktikisht nuk është kjo situatë”-tha Hasan Halilaj, kryetar i bashkisë, Kukës.

Me 3.5 milionë euro të buxhetit të shtetit firma ndërtuese duhet të kishte dorëzuar prej kohësh ujësjellësin e ri, por përveç dëmtimit të rrjetit rrugor në shtrirjen e tubacioneve që i kushtoi bashkisë shuma të mëdha për riparimin e tyre, ajo nuk bëri asgjë tjetër.

 
Flutura Tota                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›