E Shtunë, 31 Tetor 2026

Modeli kanadez sugjerimi i Kumes per zgjedhjet

Asnjë reformë zgjedhore nuk mund t’i bëjë zgjedhjet shqiptare më të mira nëse partitë politike nuk kanë vullnet për t’i bërë të tilla. Ndërsa politika ka hyrë në debatin se kur do të nisë nga puna tryeza e reformës zgjedhore, ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume sheh si të keqen e zgjedhjeve shqiptare rolin e lartë që kanë partitë politike në administrimin e procesit zgjedhor.

“Është koha kur, për mendimin tim, të realizohen veprime konkrete të cilat të synojnë që hap pas hapi të arrihet në realizimin e objektivit, proceset zgjedhore të administrohen nga një trupë administrate jo politike. Them hap pas hapi, sepse e shoh të pamundur që në zgjedhjet e 2013-ës, partitë politike të cilat kanë në dorë që të realizojnë ndryshimet legjislative në kodin zgjedhor do të kenë vullnetin për të hequr dorë totalisht nga administrimi i zgjedhjeve”-thotë ish-kryetari i KQZ-së, Kristaq Kume.

Ekperti për çështjet zgjedhore sheh mungesën e thellë të besimit të partive politike si burimin e anatemimit të fortë që i bëhet në çdo zgjedhje, institucionit më të lartë elektoral. Duke rishprehur bindjen se as një riformatim i KQZ-së përmes një formule të re të përbërjes së tij nuk do ta shuante përfundimisht kontestimin e procesit nga palët, Kume jep një sugjerim edhe në këtë pikë kur sjell modelin kanadez të KQZ-së.

“Le të kemi një komisioner të lartë të zgjedhjeve, një njeri me një integritet të plotë i cili të mandatohet si i tillë me një shumicë të cilësuar nga Parlamenti i Shqipërisë. Dhe le të jetë ky institucion që të ndërtojë dhe të ketë në varësi të tij të gjithë piramidën administrative të procesit zgjedhor, përvojë e Kanadasë”-thekson ai.

Por nëse çdo sugjerim mund të jetë i debatueshëm në tryezën e reformës, artikulimi jo zyrtar i PS-së për një administrim të zgjedhjeve nga ndërkombëtaret mohohet kategorikisht nga Kume.

“Unë do të thoja se një deklaratë e tillë më shumë se sa propozim për rrugëzgjidhje është një deklaratë emocionale”-u shpreh Kume.

E rëndësishme është, thotë ish-kreu i KQZ-së, që partitë së pari të kenë vullnetin të ulen në zbatim të rekomandimit numër 1 të OSBE/ODIHR, që është kryerja e menjëhershme e reformës zgjedhore.

Rovena Moçka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›