E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuksianë e tropojanë, trajnime falas në Kosovë

Rifreskohet marrëveshja që u jep mundësi banorëve të Kukësit dhe Tropojës të përfitojnë nga kurset falas të trajnimit profesional në Gjakovë e Prizren. Është qeveria kosovare ajo që sponsorizon banorët e këtyre zonave të varfra të Shqipërisë, ku edhe niveli i papunësisë është dyfish më i lartë se rajonet e tjera të vendit.

"Kukësi dhe Tropoja janë rajonet me nivelin më të lartë të papunësisë, e cila arrin në 25-26%, pothuaj dy herë më lart se papunësia në shkallë vendi, që në shifra zyrtare regjistrohet në nivelin e 13%. Papunësia në këto zona është e alternuar edhe me nivelin e ulët të arsimimit, ku mungesa e aftësive profesionale të të papunëve të regjistruar u jep atyre shumë pak mundësi ta gjejnë veten në tregun e punës", vërejnë përfaqësues të Ministrisë së Punës. Për këtë arsye, zv/ministri i Punës, Kastriot Sulka, gjatë një vizite në Kosovë zhvilloi një sërë takimesh me përfaqësues të pushtetit vendor në të dy anët e kufirit, drejtuesit e zyrave të punës dhe qendrave të aftësimit profesional. Sulka theksoi se shpresonte që marrëveshja e nënshkruar dy vite më parë të vazhdonte derisa nevoja e zonës verilindore për formim profesional të mbulohet nga Qendra e Lëvizshme, e cila pritet të fillojë nga funksionimi së shpejti.

Në bazë të marrëveshjes mes dy vendeve është bashkëpunimi dypalësh Kukës-Prizren dhe Tropojë-Gjakovë, nëpërmjet të cilit të papunëve nga Kukësi dhe Tropoja u mundësohet ndjekja e kurseve profesionale në Qendrat e Aftësimit Profesional të Prizrenit dhe Gjakovës, si qendrat më të afërta që mund ta ofrojnë këtë mundësi. Në Qendrën Rajonale të Aftësimit Profesional në Gjakovë, e rindërtuar pas luftës së 1999, ofrohen kurse kompjuteri, kontabiliteti financiar, elektroinstalues, vetadministrim biznesi etj. Qendra tjetër në Prizren është e pajisur me kurrikula dhe ambiente bashkëkohore. Çdo vit aty marrin formim profesional rreth 700 persona.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›