Orizi, importi 15 milionë dollarësh
Dikur ishte një industri e konsiderueshme, por tashmë orizoret shqiptare që përballonin mbi 65 për qind të kërkesave në tregun e brendshëm nuk ekzistojnë më. Vendi i është drejtuar importit për këtë produkt. Pamundësitë për të prodhuar në vend dhe sanksionet e forta që kanë vendosur vendet e tjera për eksportin e orizit të papërpunuar kanë rrënuar industrinë që mendohet se arrin në 15 milionë euro në vend. Shqipëria varet në mënyrë të drejtpërdrejtë nga luhatjet e kostove të prodhimit, por edhe përpunimit në tregun ndërkombëtar. Për vitin 2007, sipas të dhënave nga Qendra Shqiptare për Tregtinë me Jashtë, ACIT, u importuan gati 24 mijë tonë oriz me një vlerë totale prej 12 milionë dollarësh. Por vlera e importeve të këtij produkti po vjen në rritje nga viti në vit, kjo për shkak të rritjes së fortë të çmimit në tregjet ndërkombëtare. Por edhe sasia e konsumit në vite ka ardhur në rritje. Rritjen më të ndjeshme gjatë viteve të fundit importet e orizit e pësuan dy vite më parë, kur vlera e importit u rrit gati 50%. Egjipti rezulton të jetë vendi nga i cili sigurojmë pjesën më të madhe të tregut të orizit. Gjatë vitit të fundit mbi tre të katërtat e vlerës së importit u siguruan nga ky vend. Çmimi mesatar i importit të një ton orizi gjatë vitit të kaluar rezultoi të ishte 498 dollarë. Në Shqipëri pati edhe një tentativë për ngritjen e një fabrike orizi, e cila tashmë ka mbetur e bllokuar për shkak të mungesës së lëndës së parë. Vendet prodhuese të orizit janë të prirura drejt përdorimit të teknologjisë së tyre në vend dhe tregtimit të orizit të pastruar. Në vendet e pazhvilluara, industria e zhveshjes së orizit është në nivele të ulëta, por kostoja e importit për shkak të largësisë rezulton më e lartë.