Kuksianët: Nëse Lushnja del e dyta, ne jemi kampionë! Trajneri Shahin Berberi pohon se fitorja nuk është vetëm kënaqësi, por edhe detyrë, pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar Nga Bashkim SHALA Entuziazëm, por edhe përgjegjësi e lartë në kampin kuksian,
Trajneri Shahin Berberi pohon se fitorja nuk është vetëm kënaqësi, por edhe detyrë, pa nënvlerësuar asnjë kundërshtar
Entuziazëm, por edhe përgjegjësi e lartë në kampin kuksian, pas dy fitoreve radhazi, njëra në transfertë. Në këto dy fitore janë shënuar plot 8 gola dhe është pësuar vetëm 1. Oreksi i kuksianëve është shtuar tashmë, kur bëhet fjalë për rivalitetin e vendit dytë.
Kuksianët i favorizon tej mase kalendari, pasi luajnë 5 ndeshje brenda dhe 4 jashtë, ku vetëm në 2 prej tyre, me Besëlidhjen dhe Lushnjën, rezultati mund të vihet në diskutim, ndërsa të tjerat llogariten fitore. Nëse Lushnja kërkon vendin e dytë, Kukësi do të jetë kampion, sepse nuk zbret nga dyshja e parë, – shprehen njëzëri futbollistët kuksianë.
Berberi Më i matur është trajneri Shahin Berberi, i cili kërkon nga futbollistët përgjegjësi dhe vlerësim të kundërshtarit, pasi futbolli është kapriçioz. Fitorja për ne nuk është vetëm pjesë e kënaqësisë, por një detyrë, që duhet kryer, – shprehet për Sportin shqiptar trajneri Shahin Berberi. Këtë mesazh ai ka për futbollistët edhe në ndeshjen e radhës me Adën.
Ai është i mendimit që Kukësi, të paktën deri në ndeshjen me Besëlidhjen, nuk do të lërë pikë. Këtë e favorizon edhe kalendari, por edhe pozicioni i ekipeve në tabelë, kështu që edhe trajneri Berberi bën fjalë për një Kukës kampion. Kalendari Kukësi ka dy transferta shumë të vështira, me Besëlidhjen në Lezhë dhe me Lushnjën në Roza Haxhiu, ndërkohë që Luftëtarin e pret në fushën e tij.
Tani ka dy ndeshje radhazi në fushën e tij, me Adën dhe me Elbasanin, më pas do të luajë në transfertë me Mamurrasin dhe Himarën, ndërsa pret në Kukës edhe Skraparin e Vlorën. Para, të gjitha këto ndeshje Kukesi i llogarit të fituara, por edhe shpreson te përplasjet dhe hapat false të rivalëve për tu ngjitur pse jo edhe në vend të parë.
Mungesat Megjithëse në ndeshjen me Adën do të mungojnë kapiteni Elvis Koçi dhe mesfushori Jevdeviç, të dy të skualifikuar për shkak kartonësh, trajneri Berberi nuk ka ndonjë merak të madh. Në portë, për herë të parë gjatë këtij kampionati, do të aktivizohet Allmeta, ndërkohë që pas një muaj mungese për shkak dëmtimi, është kthyer edhe mbrojtësi Berberi..
